Vrasja në Çarshi mbetet e pazbardhur, autorët ende në arrati

Gazetar: Ardit Ramadani

Pothuajse 1 muaj pas vrasjes së dyfishtë në një kafene në Kalanë e Shkupit, incidenti mbetet i pazbardhur. Prokuroria akoma po heton motivet, ndërsa për të kaluar në fazë hetimore do të duhet të dihen autorët. Lëvizja BESA thekson se vendi po shndërrohet në zonë rreziku për shkak të krimeve të një pas njëshme të cilat nuk po marrin epilog.

“Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni 29 ditë më herët ngelën të vrarë pikërisht në këtë lokacion ndërsa përkundër faktit që po bëhet 1 muaj nga kryerja e kësaj vepre penale, autorët assesi të zbulohen. Jozyrtarisht mësojmë se ky incident ka qenë vijimësi e hakmarrjeve mes dy narko-grupeve rivale në Shkup. Rikujtojmë që pas kryerjes së vrasjes, policia gjeti të djegur një automjet “Audi 6” i cili dyshohet se ishte i autorëve të veprës”, raporton Ardit Ramadani, gazetar.

Sipas shefit të Prokurorisë Gavril Bubevski, po hetohen disa aspekte të këtij rasti, më shumë detaje për viktimat dhe cili ka qenë motivi i vrasjes. Aktualisht lënda është në procedurë parahetimore, ndërsa për të kaluar në fazën hetimore, duhet patjetër të dihen autorët.
“Prokuroria Themelore Publike në Shkup ndërmerr të gjitha veprimet dhe jep të gjitha urdhrat dhe udhëzimet e nevojshme për zbulimin e autorëve të veprës penale. Deri në këtë moment autorët nuk janë zbuluar”, Prokuroria Themelore, Shkup.

Sipas informatave, vrasësit kishin hyrë në lokal duke bërtitur në gjuhën maqedonase “bastisje, policia” me çka kanë gjuajtur pesëdhjetë plumba, 40 prej të cilave kishin përfunduar në trupat e dy të vrarëve.

Edhe pse vazhdimisht paralajmërohet luftë efikase ndaj krimit, ky nuk është rasti i vetëm i mos gjetjes së autorëve të veprës penale “Vrasje”. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga korriku i vitit 2017 deri në janar të vitit 2023 janë kryer 104 vrasje, ndërsa edhe pse kanë kaluar vite, në 9 prej tyre autorët ende nuk janë gjetur.

Reaguan edhe nga Lëvizja BESA. Sipas kësaj partie vendi po shndërrohet në zonë rreziku për shkak të krimeve të një pas njëshme të cilat assesi të marrin epilog.

“Vendi ynë dita ditës po shndërrohet në zonë rreziku dhe pasigurie për qytetarët e këtij shteti ku kronika e zezë kap informacionin kryesor të lajmeve në vend. Qytetari i kësaj Republike po sa ta hap televizorin, të lexoj gazetë apo portale përballet direkt me lajme te hidhura që përcjellin frikë dhe pasiguri nga ndodhitë e tmerrshme në shtetin tonë. Duam t’i kujtojmë qytetarët dhe opinion se nga ky vend drejtësisë dhe përgjegjësisë ligjore i kanë ikur shumë funksionarë të korruptuar që nuk i kanë larë hesapet dhe kusuret me drejtësinë dhe ligjin, e gjithë kjo falë mosfunksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit!”, thonë nga Lëvizja BESA.

Ndërkohë pas një ulje të ndjeshme të numrit të veprave penale për shkak të pandemisë, përveç që këto statistika po kthehen në gjendjen e para pandemisë, ekspertët e sigurisë thonë se më shqetësues mbetet fakti se shumë raste ngelen të pa zbardhura. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme