Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e paraburgimit për Dibran Hoxhajn, të njohur si “Kobra”, dhe pesë të dyshuarve të tjerë për vrasjen e V.C. një ditë më parë në Prizren.
Hoxhaj dyshohet se në afërsi të lokalit të tij “Kobra City” në magjistralen Prizren-Zhur, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së tre shtetasve të Shqipërisë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake në lokal, që dyshohet se ka lindur për shkak të një fature. Hoxhaj dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të veturës së tre personave duke i plagosur dy prej tyre. Gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit, njëri nga të plagosurit ka vdekur.
Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Hoxhaj dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç desha të shtoj diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllai prej nënës. Ky ka ardhur mbasi ka ndodhë, mbasi ka ndi prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhur mbas… Me policinë mbrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhur e kanë zanë aty si vëlla”, ka thënë i dyshuari Hoxhaj.
Seanca është duke vazhduar me deklarimet e palëve të tjera./BetimipërDrejtësi
© KOHA.