Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar sot katër persona në Ferizaj, tre të kërkuar për rastin “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje” dhe një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.
Rasti kishte ndodhur me datën 17.10.2023 në një lokal në qendrën “The Village Shopping & Fun” ku kishte pasë të shtëna me armë të zjarrit.
Policia thotë se kishte pasë një zënke një person me armë të zjarrit (pistoletë) kishte shtënë në drejtim të një personi tjetër, ndërsa ishin përfshirë edhe në rrahje dhe tre të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.
Që nga atëherë policia kishte nisur kërkimin e personave të dyshuar.
Ndërkaq, me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut.
“Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme”, njofton policia.
Gjatë verifikimit të personave ka rezultuar se tre personat ishin të dyshuar dhe të kërkuar për rastin në Ferizaj të datës 17.10.2023:
– A.K , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 45 vjeçar, i dyshuar për ” Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje
– S.R , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje
– F.T, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.
Ndërsa, personi B.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 42 vjeçar, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonalë me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar./Express/