Një krim i rëndë ka tronditur Podgoricën në Mal të Zi, ku tre persona janë gjetur të pajetë në një lagje të zonës së njohur si Aeroporti i Vjetër.
Sipas mediave vendase, mes viktimave janë identifikuar dy vëllezër nga Rozhaja, Denis Hoti (28) dhe Nezrin Hoti (27).
Autoritetet kanë shpallur në kërkim një tjetër shtetas nga Rozhaja, Vehid Murić, i cili dyshohet se ka kryer krimin gjatë natës në një apartament me qira. Sipas hetimeve paraprake, ai ka vrarë tre persona me të cilët punonte në një kantier ndërtimi dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Dyshohet se krimi është kryer me armë të ftohtë, ndërkohë që pas ngjarjes autori mendohet të jetë kthyer në qytetin e tij të lindjes. Atje, sipas burimeve, ai ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në banesën familjare.
Ka qenë pikërisht familja që ka njoftuar policinë për incidentin, çka ka çuar më pas në zbulimin e krimit në Podgoricë.
Autoritetet po zhvillojnë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e të dyshuarit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.




