Vrasjet me armë për shkaqe pronësore, numër i madh i lëndëve të pazgjidhura në Gjykatën Themelore

Tre persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e plagosjeve me armë që ndodhën këtë muaj. Ndërsa këto vrasje të ndodhura së fundmi e rrisin numrin e vrasjeve të përgjithshme në Kosovë, numër që sipas të dhënave duket jo pak shqetësues.

Sipas Policisë së Kosovës, në një deklaratë dhënë Telegrafit, vetëm në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 janë evidentuar 12 vrasje.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarrë veprime konkrete për parandalim qoftë përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të dërgojnë tek kryerja e akteve të tilla. Duke ju referuar të dhënave në Policinë e Kosovës për rastet nga Neni 178 ‘Vrasje’ në përgjithësi kemi këto të dhëna: në vitin 2018 janë evidentuar gjithsej 32 raste të vrasjeve. Ndërsa në vitin 2019, për gjashtë mujorin e parë janë evidentuar gjithsej 12 vrasje”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Sipas të dhënave nga institucionet përgjegjëse arsyet që çuan deri tek gjuajtjet me armë kishin të bëjnë me konflikte pronësore.

Mirlinda Gashi, zyrtare për informim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në një përgjigje dhënë Telegrafit ka thënë se janë mbi katër mijë lëndë në gjykatë që kanë të bëjnë me kontestet pronësore.

Sipas saj deri më tani kanë mbetur 3839 lëndë të pazgjidhura.

“Në fillim kemi pasur 3833 lëndë të pazgjidhura. Kemi pranuar 243 lëndë. Gjithsej lëndë në punë janë 4076. Me aktgjykim gjykues janë aprovuar 45 kërkesa ndërsa 16 janë refuzuar. Me marrëveshje gjyqësore janë bërë 11 lëndë. 8 lëndë janë me hudhje poshtë të padisë, ndërsa 90 lëndë me tërheqje të padisë. 25 lëndëve u është ndërprerë procedura kurse 42 lëndë janë zgjidhur në mënyrë tjetër, pra gjithsej janë 237 lëndë. Kurse kemi të pazgjidhura 3839 lëndë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.

Ndër të tjera Gashi ka treguar edhe llojet e kontesteve, për të cilat edhe janë paraqitur lëndët.

“Pengim i posedimit kemi pasur 118 lëndë të pazgjidhura në fillim, kemi pranuar 19 lëndë. Pastaj në punë kemi pasur 137 lëndë, 22 janë zgjidhur, ndërsa kemi edhe 115 lëndë të pazgjidhura. Vërtetim i pronësisë kemi pasur 3361 lëndë të pazgjidhura në fillim, kemi pranuar 218 lëndë. Në punë kemi pasur 3579 ku prej tyre 203 lëndë janë zgjidhur, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur edhe 3376 lëndë. Kontestet lidhur me largimin nga shtëpia-banesa, kemi pasur 143 lëndë të pazgjidhura në fillim, kemi pranuar 5 lëndë. Në punë kemi pasur 148 lëndë ku janë zgjidhur 6 lëndë, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur 142 lëndë. Kurse tek kontestet lidhur me largimin nga lokalet e punës kemi pasur 211 lëndë të pazgjidhura kemi pranuar 1 lëndë. Ndërsa në punë kemi pasur 212 lëndë ku prej tyre janë zgjidhur 6 lëndë. Pa u zgjidhur kanë mbetur 206 lëndë”, thuhet tutje në përgjigje.

Ndërsa në reagimet e ndryshme si nga analistët e po ashtu edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), thuhet se duhet të shtohet efikasiteti i institucioneve përgjegjëse që të parandalohen rastet e plagosjeve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme