Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 23-vjeçarin Azgan Mërnica, i cili vrau me armë zjarri efektivin e forcave ‘Shqiponja’ Novruz Cenalia në Fier.
Mërnica doli sot para gjykatës i veshur dhe nën masa të rrepta sigurie për t’u njohur me masën e sigurisë, por mbeti pa avokat mbrojtës.
Për ta mbrojtur është thirrur një avokat i shtetit, por dhe ai ka refuzuar ta mbrojë.
Kujtojmë se 23-vjeçari Azgan alias Asllan Mernica u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e 15 Majit, dy ditë pas krimit të rëndë, ku i mori jetën efektivit të Shqiponjave duke e qëlluar me plumb në kokë.
“Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier”, njoftoi policia.
Cenalia, efektiv i forcave “Shqiponja”, u vra mesditën e të hënës në fshatin Baltëz të Fierit nga 23-vjeçari Mërnica.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti se kush kishte të drejtën për të kaluar me makinë në rrugën e fshatit.
Të dy debatuan me fjalë e më pas dolën nga mjetet përkatëse. Në këtë moment, Azgan Mërnica qëlloi me 1 plumb pistolete në kokë efektivin që po shkonte në punë të merrte shërbimin.
Dëshmia e Azgan Mënicës në polici
23-vjeçari ka deklaruar para hetuesve se gjithçka ka qenë momentale.
Agzan Mernica ka rrëfyer se po udhëtonte me makinë së bashku me nënën e tij dhe teksa po kalonte në një rrugë në fshatin Baltëz është ndeshur me makinë në rrugë me policin Nevruz Cenalia.
Sipas 23-vjeçarit në një moment ka kuptuar dhe ka parë që polici ia ka bërë me dorë.
“Kam menduar që më shau dhe ofendoi”, tregoi ai, duke shtuar senë këtë moment ka dalë jashtë makinës për t’u sqaruar dhe ka parë që polici ka afruar dorën te arma e shërbimit.
I riu ka deklaruar se ka qëlluar duke menduar se do ta vriste efektivi i pari, pasi sipas 23-vjeçarit Novruz Cenalia kishte afruar dorën te arma e krimit.
Ngjarja
Akti i rëndë ndodhi mesditën e 13 majit, teksa i riu Novruz Cenalia, sapo kishte marrë rrugën në drejtim të punës. Ai ishte i veshur me rroba policie, por fati i keq e ka përballur në rrugë me të riun Azgan Mernica.
Dyshohet se mes tyre ka patur një sherr për përparësinë e kalimit në një rrugë të ngushtë që ndodhej në fshatin Baltëz të Fierit, zonë në të cilën banonte familja Cenalia prej shumë vitesh. Efektivi i forcave ‘Shqiponja’ ka debatuar me të riun që vinte nga një fshat tjetër, por që kalonte nëpër Baltëz, por ai është larguar pak, ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar në kokë, duke i marrë jetën.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes pas telefonatës së banorëve të zonës, ndërsa, i ati i Policit, gjendej në sallën operative të drejtorisë së Policisë së Fierit. Autori, një djalë vetëm 23 vjeç është larguar menjëherë me makinën e tij, një mjet tip ‘Audi’, e ka braktisur atë për tu fshehur.



