Ishte dhjetori i vitit 2012 kur u raportua një prej krimeve më të bujshme në Shqipëri. Një 34-vjeçare, e cila po priste të sillte në jetë fëmijën e tretë, u vra në formë makabre nga bashkëshorti i saj, Shpëtim Çeliku.
Ngjarja tronditëse u regjistrua në Orikum të Vlorës, ku Shpëtim Çeliku, asokohe 35 vjeç, e goditi me sqepar të renë e cila ishte në muajin e 6-të të shtatzënisë.
Dy vajzat e mitura të çiftit përjetuan momente terrori, ndërsa alarmi në polici u dha nga fqinjët. Policia gjeti trupin të pajetë të masakruar me sqepar, ndërsa u konstatua se gruaja kishte plagë në trup, kokë dhe shenja djegieje (prushi i zjarrit në banesë), sidomos në kurriz. Krahun e djathtë e kishte të thyer, detaje horrori që treguan se ajo ishte torturuar për disa ditë rresht.
Sot, 6 dhjetor 2025, fiks 13 vite më vonë, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se autori i krimit ka ndërruar jetë në QSUNT si pasojë e arrestit kardiorespirator.



