Policia e Fierit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Nertil Buzi ka vrarë ish-vjehrrin Kosta Plaka, ka plagosur ish-vjehrrën Belere Plaka, si dhe ka marr peng ish-bashkëshorten e tij.
Pas ngjarjes autori është larguar me një automjet së bashku me ish-bashkëshorten, duke marrë me vete edhe armën e gjahut, me të cilën ka qëlluar.
“Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.



