Shefi i policisë sllovake, Tibor Gaspar, njoftoi sot se gazetari hulumtues, Jan Kuciak dhe e dashura e tij janë vrarë në banesën e tyre.
Gaspar tha se Kuciak dhe e dashura e tij janë gjetur të vdekur në banesën e tyre të dielën në mbrëmje në qytetin Velka Maça, në lindje të Bratisllavës.
Gaspar tha se vrasja me gjasë lidhet me punën dhe aktivitetet hulumtuese të Kuciakut dhe shtoi se në Sllovaki asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një sulm i këtillë kundër gazetarëve. Kuciak ka punuar për portalin Aktuality dhe kryesisht ka hulumtuar rastet e evazionit fiskal.
“Jemi të shokuar për faktin se gazetari Jan Kuciak dhe e dashura e tij sipas të gjitha gjasave janë viktima të një atentati brutal. Edhe pse rrethanat e vrasjeve ende nuk janë të qarta, ekziston dyshimi se vrasjet lidhen me hulumtimet që ka bërë kolegu ynë kohëve të fundit”, u theksua në komunikatën e lëshuar nga kompania, e cila është pronare e portalit Aktuality./