Vuçiç i bind serbët e veriut, muri në Mitrovicë duhet shembur

“Goran Rakiq pranon që të shembet (muri). Jo pse mendon keq për popullin e tij ose pse është frikacak, por sepse dëshiron ta ruaj paqen”, theksoi kryeministri serb, Aleksander  Vuçiç.

Kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka kërkuar nga serbët e veriut që të mbajnë qetësi, si dhe të pranojnë rrëzimin e murit ilegal që është ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai ka thënë se serbët janë t gatshëm për kompromis, vetëm për t’i dhënë hapësirë paqes në rajon.

Këto komente kryeministri serb i bëri pas një takimi që zhvilloi në Rashkë,, kufi me Kosovën, me përfaqësuesit e serbëve të katër komunave të veriut të Kosovës dhe si dhe me ministrin e Brendshëm dhe atë të Ushtrisë.

Vuçiç ka lutur gjithashtu serbët e Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe që me krenari t’i ruajnë emrat dhe mbiemrat e të mos të largohen nga shtëpitë e tyre. “Ne nuk do të pranojmë që të fajësohemi për gjithçka”, ka thënë Vuçiq.

Gjatë një pauze të këtij takimi ai u ka thënë medieve se në takimin e së mërkurës në Bruksel bisedimet kanë qenë të rënda.

“Dëshiroj të them se kemi pasur bisedime të rënda, në të cilat Serbia i ka pranuar gjithçka që është kërkuar nga ajo. Pse këtë nuk duan ta thonë disa, pyetni ata. Së shpejti do të jem i gatshëm që qytetarët e Serbisë, plotësisht t’i informoj dhe tu them se me çfarë presionesh jemi ballafaquar, me çfarë tentimesh të shembjes së sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Vuçiç.

Sipas tij nga Prishtina është kërkuar shembja e murit në Mitrovicën e veriut, pavarësisht që rregullimi komunal është nën kompetencat e komunës.

“Madje edhe sipas ligjeve të Kosovës, kjo është nën kompetencat e drejtpërdrejta të vetëqeverisjeve lokale, pra nën kompetencat e Goran Rakiqit nga Mitrovica e veriut. ‘Nuk numërohet’, nuk vlejnë as ligjet e Kosovës. Nuk vlen asgjë, duhet të shembet. Goran Rakiq pranon që të shembet (muri), jo pse mendon keq për popullin e tij ose pse është frikacak, por sepse dëshiron ta ruaj paqen”, theksoi Vuçiç, përcjell REL.

Takimi që ka mbajtur kryeministri serb në kufi me Kosovën ku kanë qenë të gjithë aktorët e mbrojtjes së Serbisë, është parë provokim i rëndë nga Prishtina. Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Serbia qëllimisht po e provokon situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës.

“Jam i zhgënjyer dhe i shqetësuar me fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila vazhdon të ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës. Kjo propagandë e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Përgjatë gjithë historisë së deritashme, shteti i Serbisë, sipas tij, e ka manipuluar dhe viktimizuar për qëllime të veta politike komunitetin serb që jeton në Kosovë. “Pasojat e një qasje të tillë destruktive janë evidente edhe sot”, konsideron presidenti i Kosovës, i cili i bënë thirrje Serbisë që të heq dorë nga praktikat e tilla të cilat “nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Me këtë rast, dua ta siguroj komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’iu ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, thotë Thaçi.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, sipas presidentit, duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon.

“Kosova dhe i gjithë rajoni ynë kanë nevojë vetëm për rritje të bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të procesit të integrimit në BE dhe NATO, si kusht kryesor për paqen dhe sigurinë afatgjate”, konsideron presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme