Vuçiç nënkryetarit të PDK – së: A mos po e doni edhe Shumadinë e Beogradin?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se as që bëhet fjalë për ndarje territoresh me Kosovën, ndërsa ka ironizuar nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hotin, i cili tha se sikur të vinte deri te një situatë e tillë Kosovës do të duhej t’i takonte Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës.

“A kanë menduar pak për Vojvodinën, Beogradin, Shumadia nënkuptohet… A ta pyesim (presidentin hungarez, Viktor) Orbanin që t’ua japë Keçkemetin… Ç’t’ju them për këtë, natyrisht se bëj shaka”, u tha Vuçiqi gazetarëve.

Hoti, të cilin mediat serbe e prezantojnë si “këshilltar të presidentit të Kosovës”, në një intervistë për Lajmi.net tha se ndarja e Kosovës fare nuk është në rend dite dhe se liderët serbë këtë e proklamojnë nga frika e krijimit të Shqipërisë së Madhe, ndërsa Prishtina disa herë kategorikisht e ka hedhur poshtë opsionin e tillë. Sikur të vinte deri te një gjë e tillë, atëherë Kosova do ta merrte Sanxhakun dhe Luginën e Preshevës, ndërsa Vojvodina do të shkëputej nga Serbia, tha nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

Presidenti serb ka shtuar se te një pjesë e shqiptarëve ekziston nevoja për formimin e të ashtuquajturës “transversale e gjelbër”, ndërsa në rrugën e saj është veriu i Kosovës – ndërmjet Mitrovicës jugore, Vushtrrisë, Skenderajt dhe në anën tjetër Ribariqit, Novi Pazarit dhe pjesës qendrore të Serbisë, Rashkës.

“Prandaj aq shumë u pengon territori i Kosovës veriore”, tha Vuçiqi.

I pyetur çka nëse shqiptarët “futen” në veri të Kosovës, Vuçiq është përgjigjur se ai këtë pyetje e ka bërë publikisht, porse s’ka marrë përgjigje. Sidoqoftë, ka shtuar ai, “puna ime është që të bëj gjithçka për ta ruajtur paqen, për të siguruar stabilitet dhe për të garantuar siguri për popullin tonë në Kosovë e Metohi”.

Sipas tij, në pjesën më të madhe kësaj edhe ia ka dalë, “përkundër incidenteve të shumta të organizuara, sepse te ata (shqiptarët, v.j.) nuk ka incidente të rastësishme”.
“Këto janë përralla për fëmijë të vegjël, ata këtë e bëjnë me komandë dhe gjithmonë e kanë bërë me komandë, porse kjo edhe më tej nuk ka përmasa dramatike, nuk është as me të vogla dhe të parëndësishme, por nuk është as dramatike”, tha presidenti serb.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme