Vuçiq: do të luftojmë për interesat tona, e kuptojmë SHBA-në

Shtetet e Bashkuara janë duke bërë presion për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe që nga vendosja e saj, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“A mundet Amerika të bëjë më shumë presion – jam i bindur që mundet. A do të jetë kështu? Unë mendoj se të gjithë presin shpalljen e zgjedhjeve në Prishtinë dhe përfundimin e tyre”, tha Vuçiq, duke shtuar se gjatë takimeve me zyrtarët e lartë amerikanë u ka konfirmuar se pala serbe është e gatshme për dialog sapo të hiqen tarifat e vendosura nga Prishtina zyrtare.

Presidenti serbe më tutje tha se Serbia e kupton pozicionin e Shteteve të Bashkuara karshi pavarësisë së Kosovës.

“Ajo që ne kërkojmë është të luftojmë për interesat tona, të përfitojmë sa më shumë për njerëzit tanë në Kosovë dhe sa më shumë për Serbinë. Kjo është diçka që njerëzit duhet ta kuptojnë”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se në takimet me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Mattheë Palmer nuk kanë qenë të lehta, por ato janë biseda të njerëzve seriozë dhe të përgjegjshëm.

I pyetur të komentojë qëndrimin amerikan se një marrëveshje për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë dhe se çfarë ofron Serbia si rezultat të dialogut, Vuçiq tha se ajo çfarë ka ofruar ai nuk është pranuar nga askush në botë, dhe as nga vetë shqiptarët.

Ndërkaq në pyetjen nëse gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, ka kërkuar mbështetje për përcaktimin e kufijve, Vuçiq tha:

“Pozicioni i Amerikës është disi i ndryshëm, dhe unë nuk mund të flas keq për pozicionin e SHBA-së në këtë drejtim. Unë do të tregoj për këto dallime midis Amerikës dhe Evropës: Gjermania kishte një qëndrim të veçantë – nuk ka përcaktim të kufijve, por nuk do të flasim se cili do të jetë rezultati. Amerikanët ishin më shumë mendje të hapur, ata thanë që: Ne nuk na intereson se çfarë është marrëveshja, ne nuk u emocionuam nga ideja e Vuçiqit, sepse ne e njohëm Kosovën brenda kufijve të tillë, dhe edhe sot e thonë hapur, që duhet të arrihet njohja e ndërsjellë”, tha Vuçiq duke shtuar se tani ka nisma të ndryshme, por nuk ka asnjë propozim zyrtar.

Presidenti serb tha se qëndrimi i tij është i qartë se mund të bisedohet vetëm për kompromis, dhe se ai si president i Serbisë nuk do të vë nënshkrimin kurrë në një marrëveshje ku shqiptarët fitojnë çdo gjë dhe serbët asgjë. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme