Vuçiq: Fitore e vogël taktike në Bruksel, pritet presion edhe më i madh

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Një ditë më parë, më 23 nëntor, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.

Në konferencën për media Vuçiq tha të enjten se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, tha se me këtë marrëveshje Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Edhe Lista Serbe e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në Bruksel, dhe ka thënë se targat KM mbeten në përdorim dhe se ato do të mund të vazhdohen, por “të reja nuk të lëshohen tani për tani”.

Më 22 nëntor, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme