Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se gjetja e një marrëveshjeje të ligjshme me Prishtinën është pengesa më e vështirë në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
“Është me rëndësi të gjendet kompromisi me shqiptarët dhe të kemi miqësi mes dy popujve. Edhe Beogradi edhe Prishtina do të humbnin diçka, e jo njëra palë të fitojë gjithçka e tjera të humbë”, tha Vuçiq pas takimit me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Sipas tij, gjetja e kompromisit me Kosovën duhet të bëhet shpejtë.
“Për ne kjo është çështja më e vështirë. Është çështje për të gjithë qytetarët tanë dhe çështje për të ardhmen tonë. E dimë se para nesh ka detyra të vështira, por se çka do të zgjedhim në fund është çështje jona e brendshme”, shtoi ai, transmeton Koha.net.
“Nëse kjo nuk mund të arrihet, do të jetojmë në të kaluarën”, tha ai, dhe shtoi se do të donte që kjo të shmangej.
Vuçiq tha se me Junckerin dhe me komisarin evropian Johannes Hahn ka folur haptas, ndërsa ka thënë se i vlerëson miq të sinqertë të Serbisë, për raportet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për atë se çka është e nevojshme të bëhet për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Sipas tij, shumica e shteteve presin një marrëveshje e cila do të çonte Prishtinën drejt anëtarësimit në OKB dhe në organizata tjera ndërkombëtare, “mirëpo pesë shtetet e BE-së dhe Serbia këtë nuk e donë”.
“Brukseli është vetëm ndërmjetës dhe faleminderit atyre për këtë sepse vështirë se do të uleshim ndonjëherë e të bisedonim për këtë”, tha Vuçiq.
Ndërsa presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, i ka thënë Vuçiqit se BE nuk mund të pranojë më në gjirin e saj shtete që mes vete nuk kanë zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale.
Juncker ka thënë se BE dëshiron normalizim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me një marrëveshje ligjërisht obliguese.
“Nuk na takon neve t’ju tregojmë se cili do të jetë karakteri i marrëveshjes, por i takon Beogradit dhe Prishtinës që të përcaktojnë se si do të duket”, shtoi presidenti i KE-së.