Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet sot në Shkup.
Raportohet se në vend të Vuçiqit, Serbia ka dërguar ministrin për integrim Evropën, Nemanja Staroviq.
Nuk ka ende një qëndrim zyrtar për mungesën e Aleksandër Vuçiq në Samit, si rrjedhojë nuk dihet nëse një nga arsyet mund të jenë edhe trazirat e brendshme në Serbi.
Ndërkohë, Kosova po përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai tha të martën se në darkën e mbrëmshme me liderët rajonalë dhe përfaqësuesit e unionit evropian kanë diskutuar për Planin e Rritjes së BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo nuk dha detaje për një gjë të tillë.
Ndryshe, samiti po zhvillohet në një moment kur BE ka riafirmuar përkushtimin për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu ka theksuar nevojën për respektim të vlerave themelore, përfshirë sundimin e ligjit, demokracinë dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të bllokut.