Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video të postuar në “Instagram” ka thënë se ditët e fundit kanë qenë për “Serbinë më të vështirat në 15 vjetët e fundit”.
Vuçiq ka thënë se ende nuk ka marrë përgjigje “pse EULEX-i nuk u lejua të merrte pjesë në operacion” në Banjskë më 24 shtator.
Ai ka paralajmëruar se do të publikojë dëshmi gjatë 24 orëve të ardhshme se si “u vra brutalisht, të paktën një nga serbët”.
“Po ju njoftoj se brenda 24 orëve do ta keni mundësinë t’i dëgjoni dhe shihni. Kemi deklaratat e dëshmitarëve okularë, të njerëzve që kanë qenë në vend dhe kanë parë se si dhe në çfarë mënyre brutale është vrarë të paktën një serb. E Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta e plotë, sepse jeta e serbëve nuk vlen më pak se e tjerëve. E nuk më intereson se kush do të ushtrojë presion, ashtu siç nuk më intereson dhe në çfarë mënyre synojnë të lëndojnë Serbinë me gënjeshtrat e tyre”, tha Vuçiq.
“Na takon të bashkohemi, të jemi të fortë, të ndërtojmë shumë fabrika, rrugë, spitale, ta forcojmë ushtrinë tonë, të mbrojmë vendin tonë, të mbrojmë Serbinë. Dhe mund vetëm të ëndërroni pavarësinë e Kosovës. Serbia do ta mbrojë Kartën e OKB-së, Serbia do ta mbrojë Rezolutën 1244, Serbia do ta mbrojë integritetin territorial”, tha Vuçiq.