Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se të mërkurën janë miratuar rekomandimet e Parlamentit Evropian, në të cilat i janë vendosur kushte Serbisë për të përparuar në rrugën evropiane dhe po ashtu për fonde të BE-së.
Kushti është që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë. Por, Vuçiq thotë se në rekomandimet e Parlamentit Evropian thuhet se duhet njohur pavarësia e Kosovës.
“Nuk kanë miratuar rezolutë, kanë miratuar rekomandime. Rekomandimet e Parlamentit Evropian thonë se duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës, por e fshehën atë. Ata po kërkojnë nga ne njohje të ndërsjellë. Edhe nëse i vendosim sanksione Rusisë, ata do të thoshin se është mirë kjo që bëre, por nesër do të dilnin me një rezolutë të re. Unë kam mjaft përvojë, jam veteran politik. Kam folur mbrëmë me Brukselin 50 herë, veçanërisht për rekomandimet e tyre”, tha Vuçiq raporton “B92”. “Nuk jam i interesuar për njohje të ndërsjellë me Prishtinën. Do të vazhdojmë të dëgjojmë gjithçka që ata thonë, por vendimet i marrim në interes të vendit tonë”.