Vuçiq, ultimatum Listës Serbe

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka dhënë ultimatum përfaqësuesve të Listës Serbe që deri më 31 dhjetor ta kthejnë në Qeverinë e Kosovës ministrin Lubomir Mariq dhe njëkohësisht ta heqin nga detyra të sapoemëruarën, Mirjana Jetviq. Vuçiq ua ka ngrehur “veshët” deputetëve serbë të Kosovës për prishje të interesave të serbëve, shkruan sot, gazeta Zeri.

Pas përçarjes së fundit të Listës Serbe, ku nga pozita e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal u shkarkua Lubomir Mariq, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka thirrur në një takim urgjent përfaqësuesit e këtij subjekti politik.

Në këtë takim, që u mbajt në Beograd, Vuçiq u ka dhënë ultimatum, përfaqësuesve serbë të Kosovës që deri më 31 dhjetor, ta tërheqin vendimin dhe ta kthejnë në Qeverinë e Kosovës, ministrin Mariq dhe njëkohësisht ta heqin nga detyra të sapoemëruarën Mirjana Jetviq.

Por, një ultimatum i tillë i ka rënë në “vesh” kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës. Ky i fundit ka thënë se po të ishte Maqriq ministër shqiptar, shumë kohë më parë do të ishte larguar nga detyra.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare, vlerësojnë se Serbia është ajo, e cila i emëron ministrat serbë në Kosovë dhe synon të vendosë në emër të saj.

Nga ana tjetër, analistët konsiderojnë se Lista Serbe gjithmonë ka qenë dorë e zgjatur e Serbisë dhe se “përçarja” e fundit e tyre, duhet të shërbejë për të mos i përfaqësuar më interesat e Beogradit.