Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë të dhenë të shtunën ka thënë se ai është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por ka shtuar se kjo gjë po kundërshtohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Do të jetë shumë vështirë të flasësh, të bësh diçka, por Serbia duhet të tregojë seriozitet, përgjegjësi e përkushtim”, ka thënë Vuçiq në një deklaratë gjatë hapjes së një fabrike të prodhimit në Rudna Glava.
“Kurti nuk e kupton plotësisht realitetin, unë e kuptoj atë, ndaj nuk flas sepse gjërat nuk janë ideale. Frikësohem se ai nuk i kupton gjërat, sepse as për ta gjërat nuk janë aq mirë. Për këtë është më mirë që të shkohet me kompromise, por ai nuk do asnjë kompromis. Njeriu mendon se bota ka lind ditën kur ai i ka fituar zgjedhjet”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiqi e Kurti u përplasën edhe në takimin e fundit që patën në kuadër të dialogut në Bruksel. Teksa Kosova bëri katër propozime, në fund për asgjë nuk u arrit dakordimi. Të dy pritet të takohen edhe një herë në fund të muajit korrik.