“Asociacioni i komunave nuk është formuar pasi ata nuk duan, dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk do. Ata thanë se Prishtina është në një situatë të vështirë me demarkimin e kufirit, dhe s’kanë kohë për Asociacionin. Ata nuk duan, pasi kjo është vendosur si kusht qe pesë vite. Ky dokument duhet të zbatohet në praktikë”, tha Vuçiq, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë më pas se edhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i ka thënë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se duhet të formojnë AKS-në.
“Ne do të presim nëse do të gënjejnë përsëri për 20 prillin. Ne shpresojmë se dikush nga bota do të merret me këtë problem”, përfundoi presidenti i Serbisë.
Ndryshe, pas arrestimit të drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Kosovës, Lista Serbe pas një takimi me Vuçiqin në Beograd mori vendim që të largohet nga Qeveria. Ata me pas thanë se do ta formojnë vet AKS-në e kjo do të ndodhë me 20 prill.
Sido qoftë tani presidenti i Serbisë, Vuçiq, paska zbutur paksa tonin sa i përket kësaj, pasi disa ditë më parë ishte shumë entuziast për formimin e AKS-së.
Nga ana e Kosovës pati reagime të shumta, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha AKS-ja nuk mund të formohet vetëm nga pala serbe, pasi kjo ka të bëjë me shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Ndërsa, njëri nga ministrat e Haradinajt, Pal Lekaj tha se kush provon të formojë AKS-në dhe shkel ligjet e Kosovës, mund të arrestohet.