Hawai po përballet prej ditësh me katastrofën natyrore më të rëndë të 5 dekadave të fundit, pas shpërthimit të vullkanit Kilauea, ishullit më të madh të saj.
Guvernatori i Hawait, David Ige tha se shteti do të mbulojë të gjitha shpenzimet për të nisur menjëherë rindërtimin e rrugëve, parqeve publike, shkollave dhe tubacioneve të ujit.
Fondet që do të jepen nga qeveria, me urdhër të Presidentit Trump, përfshijnë edhe pagesat për gjeologët por edhe personelin e sigurisë që prej ditësh ndodhen në terren. Lumi i llavës nga vullkani Kilauea ka shkatërruar deri më tani 36 godina, 27 shtëpi por ajo që duket se do ta godasë më shumë këtë vit Hawain është turizmi, shkruan Top Channel.
Llava, që rrjedh nga 15 çarje në kraterin e vullkanit, tashmë mbulon gati 60 hektarë tokë. Por banorët, shtëpitë e të cilëve i mbijetuan llavës, janë lajmëruar të evakuojnë gjithsesi për shkak të emisioneve të gazit por edhe një shpërthimi të ri të vullkanit.
Gjeologët kanë paralajmëruar se janë të gjithë kushtet për një shpërthim edhe më të fuqishëm brenda orëve apo ditëve të ardhshme. Agjensitë turistike flasin për anulim të prenotimeve për muajt e verës.
Në muajin prill, qindra turistë u larguan nga ishulli Kauai për shkak të përmbytjeve masive dhe tërmeti e vullkani I këtij fillim-maji, I kanë shuar shpresat për një sezon fitim-prurës për banorët e Hawait.