VV: Enver Zymberi mbetet inkurajim për brezat

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje bëri homazhe pranë lapidarit të Heroit Enver Zymberi, policit i cili u vra nga strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës më 26 korrik të vitit 2011, në krye të detyrës, në përpjekjen për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit.

“Shembulli i Enver Zymberit ishte dhe mbetet inkurajues jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjithë brezat e ardhshëm, që synojnë krijimin e atdheut të lirë e sovran. Akti i tij heroik ka bërë që emri i tij të shkruhet në pllakën ku shkruhen emrat e gjithë atyre shqiptarëve që u flijuan për Kosovën me liri, pavarësi e sovranitet të plotë, për Kosovën ku gjithë qytetarët janë të barabartë”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosje.

Vetëvendosje thotë se, ndonëse kanë kaluar pesë vite nga vrasja e heroit Zymberi, vrasësit e tij ende nuk dihen dhe jetojnë në liri, teksa qeveritarët e Kosovës kanë vazhduar negociatat me Serbinë, duke pranuar koncesione e projekte të dëmshme si “Zajednica”.

Gjyqi i realizuar nga EULEX me të dyshuarit për këtë krim të Serbisë, sipas LVV-së, doli të jetë një dështim dhe zhgënjim.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh gjithmonë respektin dhe nderimin e thellë për punën, veprën dhe vetëmohimin e Enver Zymberit, duke theksuar përherë që emri i heronjve dhe dëshmorëve tanë nuk duhet të harrohet asnjëherë, ashtu sikurse që gjaku i tyre nuk humbet kurrë”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme