Deputetet Fitore Pacolli dhe Albulena Haxhiu në një konferencë për media folën për antikorrupsionin dhe kushtet e integrimit.
Deputetja Pacolli ka thënë se kjo qeveri ka filluar të bëjë presion te deputetët për ta votuar demarkacionin, ndërkohë edhe duke gënjyer qytetarët se do arrihet liberalizimi.
Ka thënë se qytetarët po mashtrohen se nëse demarkacioni nuk ratifikohet atëherë Kosova humb shansin e liberalizimit të vizave, transmeton Koha.net.
“Ne e dijmë që kushti për liberalizimin nuk është vetëm ratifikimi i demarkacionit, është edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ajo.
Ka folur edhe për raportin i cili flet se sa e ka luftuar Kosova korrupsionin dhe krimin e organizuar, por shtoi se këtë raport, të cilën e posedojnë institucionet relevante nuk ia kanë prezantuar, mediave, qytetarëve e as deputetëve.
Për këtë raport, të cilin thonë se nuk u është dorëzuar as medieve, ditë më parë ka raportuar Koha Ditore, ku ndër të tjera ka treguar se në raportin vlerësues të tre ekspertëve të angazhuar nga BE-ja, sistemi kosovar i drejtësisë nuk është i përqendruar për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Raporti, një kopje të së cilit e posedon “Koha Ditore”, u është dorëzuar edhe eprorëve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë edhe Ministrinë e Integrimeve. Ky dokument konsiderohet i brendshëm dhe nuk është i qasshëm për publikun.
“Arsyeja pse ky raport po mbahet fshehtë, është për shkak të gjeturave që prezanton ky raport, aty tregohet se Kosova ka dështuar të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjyqësori është joprofesional dhe i ndikuar politikisht”, tha Pacolli.
Ky raport konstaton se ka mungesë të profesionalizimit të prokurorit dhe gjyqtarëve, shtoi ajo.
“Qytetarëve e kemi obligimi t’ua themi të vërtetën. Nuk ka heqje të vizave dhe derisa sistemi i drejtësisë nuk e lufton korrupsionin”, shtoi ajo e shtoi se nuk duhet nxituar në ratikifikim e demarkacionit me Malin e Zi, pa u luftuar fillimisht korrupsioni.
“Gjasat e liberalizmit të vizave për këtë vit janë zero”, përfundoi Pacolli.
Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu ka thënë se qeveria Thaçi 1 dhe 2, Qeveria Mustafa dhe kjo aktuale , kanë thënë se janë zero tolerant ndaj korrupsionit, në ndërkohë që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër.
“Vetëm këto muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë se si të korruptuarit mbeten të paprekshëm. Pak ditë më parë u lirua nga paraburgimi për rastin Toka, Azem Syla. Më tutje kemi hezitimin e hetimeve për Devollin dhe Z-mobile në dëm të Telekomit të Kosovës, humbjen dhe heshtjen e hetimeve dhe mosfillimi i procesit për aferen Pronto. Poashtu rasti i Enver Hasanit që u dënua me kusht për veprime korruptive por edhe shumë raste të tjera të korrupsionit që qëllimshëm parashkruhen.”, tha Haxhiu.
Haxhiu poashtu foli edhe për procedimin e projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Ky projektligj do të forcojë kompetencat e prokurorisë por po ashtu e vendos barrën e provës tek personi i dyshuar dhe jo tek prokurori siç është aktualisht”, shtoi ajo.
Poashtu në fund u njoftua se Lëvizja Vetëvendosje nesër do të ftojë interpelancë me Ministren e Integrimeve në lidhje me të gjeturat e raportit të ekspertëve nga BE.