VV: Hoti për marrëveshjen e Washingtonit ka mbrapa vetëm gjysmën e LDK-së dhe Nismën

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, për marrëveshjen me Serbinë në Washington ka mbështetjen vetëm të gjysmës së partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe Nismës Socialedemokrate.

Sipas saj, kjo pasi vetëm këto dy palë nuk kanë paraqitur ankesa në marrëveshjen për “normalizim ekonomik”.

Ajo ka përsëritur se deputetë të VV-së kanë ftuar Hotin dhe qeverinë që ai udhëheq në raportim para disa komisioneve parlamentare “për koncesionet që ka bërë me Serbinë”.

Nagavci ka thënë se partitë në Qeveri, të cilat e kritikojnë këtë qeveri, duhet t’i bashkohen mocionit për rrëzim të saj, përndryshe “çdo deklaratë që e kritikojnë qeverinë për veprimet e saj, është hipokrizi”.

Nagavci ka thënë se kërkesa e Hotit që të raportojë në Kuvend ka ardhur pas kërkesave që ka bërë VV-ja. Ajo ka kërkuar që raportimi i Hotit në Kuvend të caktohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që do të mbahet të hënën e javës që vjen.

Në një konferencë për media, Nagavci ka përmendur edhe kritikat që i dërguari special i SHBA-së, Richard Grenell, ka pasur për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti. Nagavci ka thënë se kritikat e Grenellit se “Kurti ka qenë gjithmonë kundër SHBA-së”, tregojnë “për mënyrën se si ai negocion dhe partnerët që i dëshiron ai”.

“Ka qenë fat i mirë që Qeveria Kurti ishte në pozitë edhe për shkurt aq sa të pengonte projektet e Thaçit për ndarjen e Kosovës. Duket se Grenellit i pëlqen të ketë negociatorë si Hoti e Vuçiqi që ia bëjnë aminin pa marrë parasysh cilat janë interesat e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, marrëveshja e Washingtonit duhet të shihet me sy shqetësues sepse, siç ka thënë, ajo hap tema që ngjajnë në bombë të kurdisur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme