Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit dhe atë të Freedom House nuk i është gëzuar Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, derisa këmbëngul të lexohet secili raport i plotë. Madje, kjo parti këmbëngul se Qeveria aktuale qëndron më mirë se ato të kaluarat, shkruan Reporteri.net.
“Të gjitha raportet ndërkombëtare theksojnë korrupsionin afatgjatë të ngulitur në institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo sigurisht vjen si rezultat i qeverisjeve që ndër vite kanë udhëhequr me vendin. Por, po ashtu secili raport i huaj thekson përpjekjet e Qeverisë aktuale në luftën ndaj këtyre fenomeneve dhe reformave që kemi ndërmarrë në kuadër të kësaj përpjekje”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Këto raporte, thotë VV-ja, “në fakt po theksojnë atë që tash e 3 vite jemi duke e thënë dhe luftuar”.
“Ja çfarë pohimesh kishte vetëm Raporti i DASh-it ndër vite për partitë që sot zhurmojnë për fjalën korrupsion”, ka shkruar kjo parti duke publikuar një fotografi.
Problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur vetëm disa prej problemeve me të cilat vazhdon të përballet Kosova, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2023, sa u përket të drejtave të njeriut në botë.
Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.
Në raportet e kaluara është përmendur edhe korrupsioni qeveritar dhe kërcënimi për dhunë që shënjestron minoritete etnike dhe komunitetet e margjinalizuara.
“Qeveria ka marrë hapa kredibilë por jokonsistentë për të identifikuar, hetuar, gjykuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer abuzime me të drejtat e njeriut”, është thënë në raport.
Në anën tjetër, në raportin e Freedom House është përmendur, po ashtu se Qeveria aktuale në Kosovë, e cila e ka nisur udhëheqësinë më 2021, “është përpjekur që ta largojë vendin prej trashëgimisë së konfliktit parlamentar, duke promovuar një agjendë reformash të bazuara në sundim të ligjit”.
“Kryeministri Albin Kurti ka iniciuar proces të ri të vettingut për gjyqtarët. Mirëpo, refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës vazhdon të jetë barrierë e madhe për demokratizim. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive në fillim të vitit 2023, vitin e ka përcjellë jostabiliteti dhe përshkallëzimi i dhunës së nxitur pjesërisht prej lidhjeve jozyrtare të Beogradit me grupet e organizuara kriminale”./Reporteri.net/.