VV-ja do postin e nënkryetarit të dytë dhe më shumë Drejtori në Prishtinë

Të mërkurën, Shpend Ahmeti u zyrtarizua në krye të Partisë Socialdemokrate. Një ditë pas, nga Komuna e Prishtinës njoftoi se është në bisedime me Vetëvendosjen për një marrëveshje të mundshme koalicioni. Por, ish-partia e Ahmetit kërkon të udhëheqë më shumë drejtori dhe nënkryetarin e dytë.

Një fitore e ngushtë, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 19 nëntor, i kishte garantuar Shpend Ahmetit mandatin e dytë në krye të Prishtinës, raporton KTV.

Festës së tij, në shesh, nga arresti shtëpiak i ishte bashkuar atëkohë bashkëpartiaku i tij, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Për këtë veprim, ky i fundit ishte arrestuar, e gjatë kohës sa ai ishte në burg, plasi skandali i brendshëm që çoi në ndarjen e partisë .

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, dorëheqje nga Vetëvendosja dha edhe Ahmeti.

Të larguarit nga ky subjekt, iu bashkuan Partisë Socialdemokrate të Kaqusha Jasharit, duke organizuar konventën e jashtëzakonshme, ku kryetar u zgjodh Shpend Ahmeti.

Ky vendim i së mërkurës shënoi ndërrimin e partisë kryesore qeverisëse në kryeqytet, pa pasur zgjedhje.

Në paraqitjen e parë si kryetar i dyfishtë – i Komunës së Prishtinës dhe i PSD-së, Ahmeti tha se është në bisedime për një marrëveshje bashkëqeverisjeje me ish-partinë e tij.

Lehtësi për arritjen e koalicionit tha se krijon edhe fakti se programi qeverisës është po ai me të cilin i fitoi zgjedhjet – sa ishte në Vetëvendosje..

Por, zyrtarizimi në krye të Partisë Socialdemokrate mund t’ia zvogëlojë pushtetin në komunë.

Kjo, pasi ish-partia e tij po kërkon të udhëheqë më shumë drejtori dhe postin e nënkryetarit të dytë – që parashihet me Ligjin për Prishtinën.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Shëndetësisë, Arben Vitia, që njëherësh është edhe koordinator i VV-së në Prishtinë.

“Është e vërtetë që jemi në bisedime. Mund të them se ka pajtim të dy palëve se duhet pasur riorganizim. Kemi kërkuar garancion që programi ynë – ai me të cilin janë fituar zgjedhjet – të shtyhet përpara”, ka thënë Vitia përmes telefonit.

I pyetur nëse Vetëvendosje po kërkon postin e nënkryetarit dhe më shumë drejtori ai është përgjigjur: “Ne kemi 7 asamblistë dhe vetëm 3 drejtori. Brenda koalicionit ka parti me më pak asamblistë e po aq drejtori sa ne, andaj edhe këtë do ta bisedojmë. Kemi diskutuar edhe për nënkryetarin e dytë që garantohet me ligjin për Prishtinën – por nuk ende është kërkesë decidive.”

Vitia nuk ka dhënë më shumë detaje, duke thënë se nuk dëshiron që të ndikojë negativisht në bisedimet që, sipas tij, kanë ecur mirë deri tash.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme