Vota e Vetëvendosjes është kundër versioni të iniciativës së PDK-së për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu në Rubikon të KTV-së ka thënë se qëndrimi prapa i Hashim Thaçit dhe ndjekja e qëllimeve personale bën që kjo të jetë nismë jo serioze.
Ajo theksoi se si parti presin qasje serioze nga presidenti Thaçi.
“Në të kaluarën deputetët janë konsideruar si mjet votimi kur u është kërkuar nga Thaci, Veseli a Mustafa. Atëherë bëhej presion në vazhdimësi, atëherë nuk thoshin se janë deputetë ndërsa sot po flitet për integritetin e deputetëve. Kjo është e rrezikshme, kjo nuk e shfuqizon e Gjykatës Speciale. Kjo nuk është për të mirën e Ushtrisë Çlirimtare por për interesa personale”, ka thënë Haxhiu.
“Presim nga Hashim Thaçi që të ketë qasje serioze. Vetëvendosje nuk mund të përkrahë nisma që janë private”, shtoi ajo.
Përball saj, Blerim Kuqi nga AAK-ja tha se pavarësisht qëndrimeve të tyre tani, shefi i GP të LVV-së, Glauk Konjufca është angazhuar tejmase për këtë ligj. Ai i tha se qëndrimet e tyre ndryshuan pas bisedimeve me ambasadorin amerikan.
Gaxherri: Haradinaj nuk po sillet si kryeministër, por si kryetar i një partie të vogël
Gjendja në të cilën është katandisur Kosova, sipas deputetes së LDK-së, Besa Gaxherri tashmë nuk ka mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja. Ajo në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se qëndron prapa vendimit të partisë së saj karshi çështjes së Gjykatës Speciale.
Madje, ajo kryeministrin Haradinaj e sheh ende si një “kryetar i një partie të vogël” e që sipas saj, duhet të vetëdijesohet e ta prezantojë postin që e ka.
“Duke ju falënderuar SHBA-së ne kemi një Gjykatë me ligjet e Kosovës. Tash unë nuk po mund ta kuptoj këtë kryeministër i cili po sillet si të jetë kryetar i një partie te vogël, nuk duhet të sillet si i tillë, është kryetar i shtetit, atë që i nevojitet Kosovës, edhe nëse ka qenë kauzë e tij, duhet të dalë para qytetarëve e të thotë jam kryeministër”, ka thënë Gaxheri.
“Unë po e shoh shumë keq këtë kryeministër i cili asnjëherë prej ditës që e ka marrë këtë post nuk është sjell si i tillë, vetëm një kryetar i cili ka marrë petkun e kryeministrit dhe ka fuqi. Duhet urgjentisht të shpallen zgjedhjet, para se të shkohet ne zgjedhje duhet të mblidhen liderët e partive politike që të zgjedhin temat nacionale se mjaft më u morëm me poenë politik”.
© KOHA.