VV-ja paralajmëron edhe njëherë mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media, lidhur me Marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë. Kësisoj, ka thënë se është koha për të nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, dhe se qeverisja e ardhshme e Lëvizjes Vetëvendosje, siç u shpreh ai, nuk do t’i qëndrojë prapa kompromiseve që u realizuan në Washington.

Glauk Konjufca pati kritika të shumta ndaj kryeministrit Avdullah Hoti, të cilin edhe e quajti të papërgjegjshëm.

“Tërheqja e Hotit prej njohjes ishte lajm i keq, se kjo i bie që i shkon përshtati Qeverisë së Serbisë. Pa njohje nuk mund të zgjidhet asgjë mes Kosovës dhe Serbisë. Çmimin më të madh e kemi paguar gjatë luftës në Kosovë. Kosova nuk duhet të japë asgjë nga shtetësia e vet që të kompensohet me njohje nga Serbia”, tha Konjufca.

Në këtë proces të negociatave, tha Konjufca, për herë të parë, fatkeqësisht, u hap tema e resurseve më të rëndësishme të Kosovës.

“Ujmani përmban 70 për qind të ujit tonë, dhe për herë të parë një kryeministër kaq i papërgjegjshëm pranoi që të jetë temë me Serbinë. Resurset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë, bën krim të madh dhe kjo ndodhi. Gatishmëria e Hotit që të hyjë në zonën e lirë ekonomike të propozuar nga Serbia – është tjetër gabim i madh. Të hiqet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë pa e njohur Kosovën. Përderisa Kosova ende nuk është shtet anëtar në BE dhe pa e njohur Serbia Kosovën, hiqen kufijtë”, tha tutje Konjufca.

Sipas Konjufcës, ka shqetësime se pse Kosova të pranojë të pauzojë anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.

“Një kryeministër jo legjitim si Hoti, shkon atje e qet një nënshkrim për t’u tërhequr. Nënshkrimi i tij e shkel kushtetutën tonë. E para, kjo është marrëveshje e dëmshme, përmban pika që i ka shtyrë përpara Vuçiqi dhe me këso marrëveshje, qeverisja e ardhshme e LVV-së nuk ndjen kurrëfarë obligimi as ligjor as kushtetues e as ndërkombëtar që t’i qëndrojë prapa kompromiseve të këqija të kryeministri jolegjitim, Avdullah Hoti. Vetëm gjysma e LDK-së dhe gjysma e Nismës përkrahin këtë marrëveshje. Është momenti që të kthejmë mocionin dhe të kuptohet që është koha e duhur të rrëzohet Qeveria”, u shpreh Konjufca.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme