VV kërkon shkarkimin e ambasadores Alma Lama, por jo edhe LDK e PDK

Komisioni për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme, është diskutuar për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor.

Pas diskutimeve në mes të anëtarëve, Projektligji është miratuar.

Ndërkaq, debati në Komision ka vazhduar për çështjen e ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama, e cila kohë më parë ka ofenduar gazetarin e KTV-së, Xhemajl Rexha, pas publikimit të një storie në Interaktiv me titullin “Tregtia e Vitit”, ku protagoniste ishte pikërisht ambasadorja Lama.

Puhie Demaku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se në raportin e hartuar e kanë cilësuar Lamën me “temperament të pakontrolluar dhe shpirt idhnak”.

“Këtë e kemi shkruar në që e kemi hartuar. Çdo qëndrim i një ambasadori është qëndrim i MPJ-së. Por jam zhgënjyer në mosreagimin e tyre”, ka thënë Demaku, raporton KTV.

Ajo ka propozuar që komisioni t’i dërgojë kërkesë MPJ-së për shkarkimin e Alma Lamës nga posti i Ambasadores.

“Ne si komision duhet t’i dërgojmë kërkesë MPJ-së që të marrë masa dhe ta shkarkojë Alma Lamën”, ka theksuar më tej Demaku.

Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, anëtar i këtij komisioni, ka thënë se janë koordinuar deputeten Demaku “pak a shumë për këtë çështje”.

“Koalicioni LDK – PDK duhet ta tejkalojë vetveten dhe të ketë përfaqësim të denjë jashtë Kosovës. Pra ne duhet të kërkojmë shkarkimin e saj. MPJ nuk është dashur të na pres neve, por të veprojë në bazë të ligjit”, ka theksuar Berisha.

Elmi Reçica nga PDK, tha se kompetencat e këtij Komisioni janë që të intervistojnë kandidatët e rekomanduar nga MPJ dhe pastaj i dërgojnë raport Presidentit.

“Kjo është kompetenca jonë. MPJ e ka krijuar një komision disiplinor rreth rastit Lama dhe duhet të presim këtë komision. Ne si komision duhet vetëm të kërkojmë informacion se çka ka ndodhur, sepse nuk ka ndodh që ne të kërkojmë si komision shkarkim të një ambasadori. Megjithatë, darkodohem vetëm që t’i kërkojmë MPJ-së raport se çka ka ndodh me rastin dhe një raportim të tij dhe drejtorit të përgjithshëm të MPJ-së”, shtoi Reçica.

Ismet Beqiri nga LDK, parti nga e cila vjen edhe ambasadorja Alma Lama, tha se nuk përkrah asnjëherë daljen jashtë kompetencës të kujtdo qoftë.

“MPJ i ka rregullat dhe duhet të respektohen dhe të mos ketë praktika të tilla në të ardhmen. Bëj thirrje që ata që na prezantojnë jashtë të kenë kujdes dhe të sillen në pajtim me rregullat”, theksoi Beqiri.

Kurse Blerta Deliu Kodra nga PDK, u distancua nga çdo formë e gjuhës së urrejtjes.

“Fundja dikur unë bashkë me Alma Lamën kemi dal kundër gjuhës së tillë. Mendoj se është një lëshim i zonjës Lama. Ka rregulla dhe sanksione. Dhe qëndrimi i saj nuk përfaqëson qëndrimin e institucioneve të Kosovës”, deklaroi deputetja Deliu Kodra.

“Pra përfundimi, t’i kërkojmë MPJ-së raport se çka ka ndodh me rastin dhe një raportim të tij dhe drejtorit të përgjithshëm të MPJ për shërbimin e jashtëm të Kosovës. Dhe jo atë çka kërkoi Puhia, t’i kërkojmë shkarkimin”, ka shtuar ajo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme