Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur për mosprezencën e flamurit të Kosovës në protestën e 29 shtatorit të organizuar nga partia e tij.
Mosprezencën e flamurit të Kosovës, në protestën e cila ishte thirrur për të mbrojtur integritetin territorial të shtetit të Kosovës, Selimi në një intervistë në T7, e ka arsyetuar me atë se Vetëvendosje, nuk ua imponon protestuesve se çfarë flamujt të bartin në protestë.
Ai ka thënë se Vetëvendosje nuk imponon flamuj, sipas tij, sikur Thaçi i kishte imponuar Kosovës këtë flamur kur u shpall pavarësia e Kosovës.
Selimi e ka mohuar prezencën e flamurit të ISIS’it në protestë, ashtu siç ishte pretenduar në opinion, duke thënë se ndonjë flamur arab ka mundur që të u duket i tillë qytetarëve.
Në protesën e Vetëvendosjes kishte një veprim të çuditshëm me prezencën e flamujve, pasi aty ishin të gjithë flamujt e shteteve që e kanë njohur Kosovën, por jo edhe ai i shtetit të Kosovës.