Kanë kaluar gjashtë vite kur ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ishte gjetur fajtor për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me tre vjet burg.
Zharku, përkundër se dënimi i ishte bërë i plotfuqishëm, nuk ka shkuar asnjëherë në vuajtje të dënimit ndërsa në media u raportua se gjendet në një vend skandinav.
Në maj të vitit të ardhshëm Zharku mund të kthehet në Kosovë e dënimi ndaj tij nuk do të mund të ekzekutohet më.
Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave penale të detyrimit dhe posedimit të paligjshëm të armës. Ai ishte dënuar me tre vjet burg dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 euro.
Megjithatë, Zharkut nuk do t’i duhet të qëndrojë edhe shumë kohë jashtë Kosovës pasi që sipas një dispozite të Kodit Penal të Kosovës, ai mund të kthehet në Kosovë në maj të vitit të ardhshëm, atëherë kur ekzekutimi i dënimit ndaj tij të ketë arritur parashkrimin absolut.
KALLXO.com lidhur me këtë rast ka kontaktuar përmes telefonit edhe me avokatin Tahir Rrecaj që kishte ndërmarr disa veprime në çështjen e Zharkut, i cili ka thënë se Zharku mund të kthehet në Kosovë pas parashkrimit absolut dhe lidhur me veprën për të cilën ishte dënuar të mos merret asnjë veprim ndaj tij, përcjell “Kallxo.com”.