Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Serbia e ka shkelur marrëveshjen për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare, duke iu referuar prezencës së katër pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë.
Ai tha se Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim pavarësisht marrëveshjeve të cilat ajo i ka nënshkruar.
“Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua më çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshëm për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, tha ai.
Ministri tutje u shpreh se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen.
“Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat ko vetëm që janë të papranueshme për ne, por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, tha Sveçla./EO