Xhavit Haliti na kërcënoi me vrasje – ky është rrëfimi i gazetarit kosovar në Zvicër

Botuesi i gazetës “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj, në një postim në rrjetet sociale, ka treguar se si vite më parë kishte pranuar një telefonatë nga Xhavit Haliti, i cili sipas tij, e kishte kërcënuar me vrasje për shkak të shkrimeve të gazetës.

Në postimin e tij Mazrekaj shkruan se policia zvicerane kishte zbuluar që telefonata ishte bërë nga Gjermania dhe se Haliti në atë moment ishte në shoqëri të Hashim Thaçit.

Më poshtë mund t’i lexoni detajet e këtij kërcënimi që Mazrekaj e ka ndarë në Facebook në ditën e lirisë së shtypit.

Xhavit Haliti: Xhevdet Mazrekaj zgjedh ose po të vrasim ty ose redaktorët e tu
Në ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, po e ndaj me ju një nga rastet, ku unë dhe punëtorët e gazetës “Bota sot” u kërcënuam me jetë.
Ishte viti 1999. Atë ditë isha në zyrën time, në redaksinë e gazetës kombëtare “Bota sot” në Cyrih. Ndërsa po qëndroja në zyrë, erdhi njëri prej gazetarëve dhe më tregoi se po më kërkonte Xhavit Haliti në telefon. I thash: Në rregull lidhe me zyrën time.
Xhavitin e njihja nja 5-6 vite më përpara dhe për këtë arsye pranova telefonatën. (Në një rast tjetër do të tregoj më hollësisht se si e kam njohur!)
Biseda filloi normalisht me përshëndetje. Me pas Xhaviti hyri direkt e në temë dhe më tha si vijon: Të kam thirrë me të kërku që ta marrësh një vendim!
Pastaj vazhdoi: E di se “Bota sot” është gazeta jote, prandaj edhe po të paralajmëroj para se të ndërmerret diçka ndaj jush, që të mos thoni nesër “nuk e kemi ditur”. Xhevdet, nëse është gazeta jote, atëherë duhet ti largosh nga puna këta persona: Abdi Baleta, Skender Buçpapaj, Elida Buçpapaj, Teki Dervishi, Mero Baze etj! (Më duket se kanë qenë gjashtë veta që duhej ti largoja nga puna sipas Halitit).
“Nëse i largon këta persona ne nuk do të kemi më problem me ty, por nëse jo, atëherë do të të vrasim ty. E nëse nuk është gazeta jote, atëherë të sugjeroj të dalësh ti nga “Bota sot” dhe ne do të kemi punë me ata tjerët, nëse nuk tërhiqen!”, vazhdoi ai.
Të ju them të drejtën, kërcënimi ishte shumë serioz dhe kjo vërehej nga toni i ashpër i zërit me të cilin më fliste Xhaviti.

Duke e njohur Xhavitin dhe bashkëpunëtorët e tij, e dija fort mirë se do të vepronin nëse nuk ndërmarr ndonjë hap konkret ndaj këtij kërcënimi.
Më kujtohet që i thash: Hajt baju, unë nuk merrem me juve!
Ndërsa, duke e ditur seriozitetin e kërcënimit, shkova në Policinë e Cyrihut dhe iu tregova për telefonatën, duke iu thënë se çështja është mjaft serioze.
Policia e mori me seriozitet denoncimin tim dhe prita aty derisa bëheshin hetimet.
Policia zbuloi shpejt burimin e telefonatës.
Kërcënuesit kishin shkuar në Gjermani për ta bërë thirrjen. Telefoni ishte i Zvicrës e thirrja ishte bërë prej Gjermanisë, për t`i ikur kontrollit policor.
Sipas informatave që i kam, afër Xhavit Halitit, kishte qenë edhe Hashim Thaçi duke e dëgjuar bisedën.
Ndërkohë, hetuesit e policisë më pyetën se a më thoshte diçka emri, Sabit Veseli, duke më sugjeruar se nëse e njihja këtë person ta mbaja për vete dhe të mos e përmendja emrin e tij me askënd për shkak se rasti ishte nën hetime.
Pra, telefoni i përkiste pikërisht personit në fjalë, Sabit Veselit. E ky ishte vëllai i Kadri Veselit, shefit të SHIK-ut. Sabit Veseli, vite më parë ndërroi jetë në rrethana misterioze i aksidentuar nga një kamion në mes të natës, diku në Mitrovicë, ndërsa kishte ardhur nga Zvicra për pushime në Kosovë.
Ai ka qenë një nga dëshmitarët kryesor të ngjarjeve të para gjatë dhe pasluftës.
Andaj, dyshoj se e ka eliminuar dikush nga krahu i tyre politik!
Policia më kishte njoftuar se ata që më kishin kërcënuar janë një grup mafioz këtu në Zvicër.
Pas këtij rasti, Xhavit Halitit i ishte ndaluar hyrja në Zvicër për disa vite!

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme