Edhe sot ka vazhduar diskutimi mes Xhavit Halitit dhe Anton Qunit, për paratë që Quni thotë se i kishte marrë nga Ahmet Krasniqi në kohën e luftës.
Haliti, në Kuvend iu përgjigj Qunit duke thënë se ai ka pasur bashkëpunim të ngushtë me Ahmet Krasniqi, por sipas tij, ai si ministër i Mbrojtjes ishte i luftuar nga “segmente të caktuara”, shkruan Periskopi.
“Sa për ta përkujtuar, unë kam pas raporte me Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin, Shaqir Shaqirin, Anton Folën…. Me të gjithë kam biseduar, shumë herët, deri te themelimi i Fondit Kombëtar, deri te prishja e këtij fondi. E di shumë mirë edhe fondin e Qeverisë së Kosovës… por nuk dua ta analizojë. E vërteta është që më është ofru Ahmeti Krasniqin, përmes Shaban Mujës dhe Billal Sherifit, më kanë thirrë në shtëpinë e Bilall Sherifit. Ahmet Krasniqi s’ka qenë ministër i mbrojtjes. Problemi është dhe e mira është, që ka pas përpjekje dhe ka pas bashkëpunim. Ka pas edhe hezitim. Unë kam bashkëpunuar ngushtë me Ahmet Krasniqin deri sa është vrarë. Kam bashkëpunuar edhe me zotin Bicaj. Për juve, skam ditë as kush jeni. I di problemet që kanë qenë, akuza kundërakuza, e kam marrë vesh kush ke qenë pas luftës. Segmente të caktuara e kanë penguar Ahmet Krasniqin. Ahmet Krasniqi është emëruar ministër i mbrojtjes shumë vonë dhe ka luftu me ato struktura të Qeverisë sepse e luftojshin si ministër të mbrojtjes”, tha ai.
Haliti i është referuar edhe një fjalie të Isa Mustafës në Vjenë, duke i thënë Halitit se këtë e ka thënë “ish-kryeministri yt”.
Sipas tij, Mustafa kishte thënë se komandantët e UÇK-së do ta vrasin njëri-tjetrin dhe pushtetin do ta merrte LDK-ja.
“Po i referohem një diskutimi në Vjenë nga ish kryeministr yt. Ne do të organizohemi në atë mënyrë sepse komandantët e UCK-së do të fillojnë vrasjen e njëri-tjetrit, dhe ne do ta marrim drejtimin e pushtetit”, tha ai.