Ndërtimi i murit në veri të vendit, i cili ndan Mitrovicën në dysh ka nxitur reagime të mëdha. Nënkryetari i Kuvendit, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, vlerëson se situata në Mitrovicë nuk është e mirë.
Ndërtimi i murit në veri, sipas tij, do të duhej të shqetësonte të gjithë mekanizmat shtetëror të Kosovës, përfshire edhe Bashkësinë Ndërkombëtare, e cila është garantuese e sovranitetit dhe integritetit të vendit. Ai ka kërkuar nga ministria e Mjedisit qe të nxjerr vendimin për rrëzimin e këtij muri.
“Fillimisht është mirë të ketë informacion të detajuar dhe jo fotografi. Ta dimë se çfarë është ky mur, cila është ideja, sa është i gjatë dhe a e ndanë vërtete territorin. Mendoj se ministria e Ambientit duhet të nxjerr vendimin për rrënimin e atij muri. Kaç është kjo punë, shteti këtë punë e ka me letra punon”, ka thënë Haliti për ‘Indeksonline’.
Zyrtari i lartë i PDK-së, nuk e ka përjashtuar mundësinë e eskalimit të situatës në veri. Duke thënë se eskalimi mund të bëhet në forma të ndryshme. Megjithatë, ai fton të gjithë qe të mos bëjnë veprime të pamatura.
“Ngritja e mureve në mes të territoreve të Kosovës dhe ngritja e mureve nacionaliste në këtë rast të cilët përpiqen ta bindin dikë se kanë frikë prej pjesës tjetër është krejtësisht e paarsyeshme, sepse mendoj se nuk ka frikë dhe s’ka nevojë të kemi frikë nga njëri tjetri në Kosovë”, ka shtuar Haliti.
Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Mustafa se nuk e ka në plan të përdore muskujt për rrëzimin e murit, Haliti ka thënë se muskujt në politikë mund të përmenden në fund të rrugës, nëse konsiderohet se nuk ka rrugë tjetër.
Partitë opozitare i kanë kërkuar kryeministrit Mustafa të rrëzojë këtë mur ose të dorëhiqet.
Edhe shoqata e dala nga lufta kanë paralajmëruar se situata mund të eskalojë nëse nuk rrezohet muri i ndërtuar nga serbët./Indeksonline/