Nga Xhevdet Pozhari
Një prej projekteve televizive që më ka lënë shijen më të mirë përgjatë karrierës 20 vjeçare si gazetar është ‘Filmat që ndryshuan botën’. Pas shfaqjes së filmit, debatonim me panelistë rreth tematikës që shtjellohej në film. Që të gjithë ishin prodhime që kishin ndikuar në procese të rëndësishme me nam botëror.
Filmi që më pat bërë më së shumti përshtypje ishte ‘Hotel Ruanda’… por, ky është një rrëfim tjetër.
Gjatë realizimit të këtij projekti ishte hera e parë dhe e fundit që në studio e pata kryeministrin, Albin Kurti. Bashkë edhe me panelistë të tjerë diskutuam për filmin “The Queen”, në rol kryesor me aktoren legjendare Helen Mirren.
“The Queen” është një film dramatik biografik i vitit 2006 që përshkruan vdekjen e princeshës Diana.
Fillimisht, Familja Mbretërore e konsideronte vdekjen e Dianës si një çështje private dhe kështu nuk duhet të trajtohet si një vdekje zyrtare mbretërore. Kjo ishte në kontrast me pikëpamjet e kryeministrit Toni Bler dhe ish-burrit të Dianës, Princit Charles, i cili favorizonte dëshirën e publikut të gjerë për një shprehje zyrtare të pikëllimit. Çështjet u ndërlikuan më tej nga media, protokolli mbretëror në lidhje me statusin zyrtar të Dianës dhe çështje më të gjera rreth republikanizmit.
Dëshira e publikut dhe qasja e qeverisë për ironi janë edhe temë sot në vendin tonë. Sidoqoftë, kemi një kryeministër që njihet si dashamir i filmit. Shpresoj se vizita e tij në Kanë do të shërbejë edhe për diskutimin e të kaluarës tonë si popull me regjisorë të njohur ndërkonbëtar që bota mos ta harrojë padrejtësinë që dy dekada më parë ndodhi në zemër të Evropës.
Izraelitët ishin ata që e kuptuan fuqinë e artit. Jo rastësisht, filma të shumtë me përmbajtje për tragjedinë e tyre gjatë luftës së dytë botërore janë shpërblyer me çmimet më prestigjioze të kinematografisë….
Është koha të shohim një pamje më të gjerë, e jo si në të kaluarën kur historia e një populli përkufizohej me librin e Hashim Thaçit!
Liria ka emër, por ka edhe mbiemër – popull!/sakte.net