Ylfete Humolli, vajza që u bë simbol i flijesës dhe qëndresës!

Sot do të ishte një intelektuale dhe një grua në moshën 49 vjeçare që do të rriste fëmijët e saj në Kosovën e lire! Por sahati i saj i jetës u ndal në atë 1 shkurt të kobshëm të vitit 1990, kur kishte dale të protestonte ndaj dhunës dhe për larine e Kosovës, kur ia ndalën hovin e rinisë dhe ëndrrave të jetës.

Ylfete Humolli, ishte vetëm 16 vjeçe kur u vra nga forcat serbe, duke u bërë ndër viktimat e para pas rrënimit me dhunë të autonomisë së Kosovës, e duke u bërë simbol i flijueses, qëndresës dhe lirisë.

Kush ishte ajo?

Ylfetja u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare, e cila përveç saj kishte dhe tetë fëmijë të tjerë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.

Si nxënëse shembullore dhe e përkushtuar ndaj mësimit, Ylfetja u angazhua në aktivitete teatrale dhe letrare që organizoheshin nga shkollat në ato vite të errëta të arsimit në gjuhën shqipe.

Kur Kosovës iu mor autonomia më 1989-90, Ylfetja ishte në vitin e tretë në shkollë të mesme, ndaj dhe ajo si shumë moshatarë të saj e kuptonte tashmë situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku të gjithë ishin duke protestuar për të mbrojtur vendin e tyre. Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, me ç’rast në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë me radhë pati protesta.

Në këto protesta, pikërisht më datë 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe, shokë dhe vëllaun e saj Mentorin, i cili aso kohe ishte 13 vjeçar, kishin dalë përskaj rrugës Podujevë- Prishtinë, për të shprehur revoltën e tyre në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur e cila vinte nga Serbia.

Për një moment filluan krismat ndaj turmës, me ç’rast Ylfetja ishte njëra ndër viktimat.

Ylfetja u vra duke kërkuar liri dhe barazi, ndërsa fjalët e saj të fundit që i tha pa mbyllur sytë ishin: “Ku e kam Mentorin? A shpëtoi Mentori?”.
Rrugën drejt lirisë së vendit vëllau i Ylfetes, Mentori e vijoi edhe për nëntë vite të tjera, deri sa ra dëshmor për tokën e Kosovës në Koshare me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më datë 21 mars, 1999.

Varrimi i Ylfetes ishte madhështor, ajo u përcoll për në banesën e fundit me nderime të larta nga qindra e mijëra shqiptarë, të cilët çmuan jetën, veprën, guximin dhe trimërinë e saj. Në shenjë respekti ndaj idealit për të cilin ajo ra heroikisht, të pranishmit në ceremoninë e varrimit i ngritën nga dy gishta, duke kërkuar liri, barazi dhe demokraci.

Sot, në 33 vjetorin e rënies së saj, në Lupç të Poshtëm në Podujevë do të përurohet dhe kompleksi memorial “Ylfete Humolli”, me fillim nga ora 11:00.

Të përkujtojmë se përveç shumë shkrimeve që i janë kushtuar flijesës së Humollit, këngëtarja e njohur, Remzie Osmani, ia kushtoi asaj një nga këngët më të bukura. “Mos më vajtoni”, që mund ta dëgjoni në linkun vijues:

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme