Ylli i filmave pornografikë, Stormy Daniels, ka ofruar formalisht kthimin e 130.000 dollarëve amerikanë, të cilat i ka marrë si rezultat i një marrëveshjeje që avokati i saj e quan “marrëveshje për heshtje”, për të mos folur për një lidhje të supozuar me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ajo e ka bërë këtë ofertë në një letër që avokati i saj ia ka dërguar të hënën avokatit personal të Trumpit, Michael Cohen, ka raportuar The New York Times.
Oferta e Daniels, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, parasheh që ajo të rimarrë të drejtën për të folur “haptas dhe lirshëm” për marrëdhëniet e saj me Trumpin – dhe për të publikuar “çfarëdo mesazhi tekstual, fotografie apo videoje” në lidhje me të parin e Amerikës, që ajo “mund t’i ketë”.
Një gjuhë e ngjashme është përdorur edhe në marrëveshjen e saj për të mos folur, ku përmenden mesazhet dhe pamjet që Daniels mund të ketë, transmeton Gazeta Express.
Avokati i Trumpit, Cohen, me shumë gjasë do ta hedhë poshtë ofertën e yllit pornografik – e cila përmban edhe një afat kohor. Ai së fundi ka shkuar në gjyq, për të siguruar një urdhër që do t’ia ndalonte asaj të fliste për marrëveshjen.
Sipas ofertës së bërë nga ylli i pornos, fondet do të derdheshin në një llogari të cilën do ta zgjidhte vetë presidenti deri të premten – një klauzolë që e lidh drejtpërdrejt Trumpin me “marrëveshjen për heshtje”.
Letra ofron kthimin e fondeve – shumën që ajo e ka marrë në këmbim të nënshkrimit të marrëveshjes, disa javë para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të 2016’s, të cilat Trump do t’i fitonte.
Daniels pohon se ajo dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kanë pasur një lidhje jashtëmartesore më 2006, por numri një i Amerikës mohon akuzat.
Sipas Daniels, ajo është takuar me Trumpin në korrikun e vitit 2006, gjatë një turneu bamirësie në golf, në liqenin Tahoe, një zonë ndërmjet Kalifornisë dhe Nevadës.
Daniels thotë se Trump e ka ftuar atë për darkë, dhe se ajo ka shkuar për ta takuar atë në dhomën e hotelit të tij.
Ylli i pornos pohon se ka bërë seks me Trumpin në dhomën e hotelit, gjë që avokati i Trumpit e mohon kategorikisht.
Nëse pohimet e Daniels janë të sakta, e gjithë kjo lidhje ka ndodhur vetëm katër muaj pas lindjes së fëmijës më të vogël të Trumpit, Barron.