Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se duhet angazhim nga të gjithë për barazinë mes grave dhe burrave.
“Gratë, vajzat, secila prej tyre, të gjitha bashkë, duhet të jenë të barabarta në shoqëri. Kjo barazi është përpjekje e përditshme, angazhim politik e publik që ta bëjmë barazinë politikë institucionale. Kundër diskriminimit e përjashtimit”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klan Kosova.
Ai ka thënë poashtu se nën qeverisjen e Vetëvendosjes, të gjithë do të jenë të barabartë.
Postimi i Visar Ymerit:
Secila pronë familjare do të jetë bashkëpronësi mes gruas dhe burrit.
Secila pronë e trashëguar do t’i ndahet barabartësisht vajzës ashtu edhe djalit.
Secila përkrahje financiare nga shteti për ndërmarrjet prodhuese do të kushtëzohet me punësimin e grave në së paku 40% të të punësuarve.
Gratë do të kenë përparësi në ndarjen e secilës banesave të përballueshme për qytetarët e Republikës.
Kështu do ta ndërtojmë Republikën. Të barabartë për të gjithë.
Por kjo bëhet vetëm nëse jemi bashkë në angazhim. Në përpjekje. Të barabartë publikisht, që të jemi të barabartë edhe privatisht.