Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se PAN po i përgjigjet negativisht kërkesës së popullit për ndryshim. Ky koalicion, sipas tij, pavarësish vullnetit të popullit po vazhdon të bllokojë formimin e institucioneve të Kosovës.
Ymeri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ka thënë se zgjedhjet e 11 qershorit e kanë vendosur Vetëvendosjen partinë e parë në vend por që i mbetet të punojnë edhe më shumë.
“Ne kemi punë për Kosovën sepse PAN-i po vazhdon me avazin e vjetër po vazhdon me kapjen e shtetit , shumica kanë votuar që të mos vazhdojë kjo qeverisje, me zhvatjen e shtetit dhe me korrupsion e me keqpërdorime”.
“Por ata lëvizjen Vetëvendosje nuk mund ta ndalin sepse vullneti i popullit nuk ndalet”, ka thënë Ymeri.
Ai ka thënë se më datë 22 gusht do të dorëzohen të gjitha listat për kryetar të komunave dhe me lista për asamblistë të cilët janë nga VV.
“Zgjedhjet e 22 tetorit do ta dëshmojë që VV do të ketë rritje dhe kërkoj nga ju delegatë që të mobilizoheni për një fitore të radhës. Ndryshimi i nivelit qendror nuk është i plotë pa ndryshimin e nivelit lokal”, tha ai.
“Kjo vjen falë punës së palodhshme të gjithë që kanë bërë së bashku, me 11 qershor u dëshmua se në secilën herë po rritemi, dhe kjo u vërtetua”.
“Kjo mbledhje është e veçantë sepse është në prag të zgjedhjeve , dhe ne me 11 qershor kemi qenë në shumë vende përpara subjekteve tjera e kjo do të vërtetohet edhe më 22 tetor”, ka thënë Ymeri.