Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev ia bëri të qartë VMRO DPMNE-së dhe kryesuesit të Kuvendit Trajko Veljanovski se shumica parlamentare po e humb durimin dhe se së shpejti do ta merr kontrollin mbi shtëpinë ligjvënëse. Duke komentuar replikat e deputetëve të VMRO DPMNE-së mes veti, Zaev tha se e drejta për të debatuar në Kuvend është e shenjtë por kjo nuk duhet keqpërdorur në mënyrën që po e bën VMRO DPMNE-ja.
“Pakica dhe para së gjithash kryesuesi i Kuvendit duhet ta dijnë se shumica e deklaruar parlamentare ka të drejtë dhe obligim që ta merr kontrollin mbi Kuvendin. Kjo bëhet nëpërmjet zgjedhjes së kryetarit të ri të Parlamentit nga radhët e saj dhe kështu do të merrej edhe përgjegjësia për udhëheqjen e Parlamentit. Shumica parlamentare nuk do të lejojë zvarritjen e kësaj pune deri në pafundësi, do ti zbatojë të drejtat dhe obligimet e saj Kushtetuese. Ekzistojnë shumë mundësi të cilat Kushtetuta, ligjet dhe Rregullorja e Kuvendit i lejon kur bëhet fjalë për vendimarrje të shumicës së plenumit, dhe besoj se shumica do ta merr nën kontroll kryesimin e seancës”, ka thwnw Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së
I pyetur për “Manifestin për Maqedoni të Vetme” të VMRO DPMNE-së, Zaev tha se kjo është një tjetër arsyetim për zvarritjen e proceseve dhe se madje edhe vetë VMRO DPMNE-ja nuk i beson asaj që e ka publikuar. Por VMRO DPMNE insiston që “Manifesti” është zgjidhja e vetme e pranueshme për Maqedoninë e cila do ta mbrojë shtetin nga përzierja e zyrtarëve të huaj.
“Opinioni në Maqedoni është dëshmitar i deklaratave mohuese të cilat prekin çështjet e brendshme dhe sovranitetin e vendit. Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati propozon që Platforma e Tiranës të inkorporohet në Kushtetutën e Maqedonisë, ndërsa kryeministri Edi Rama pa patur ende regjistrim të popullsisë liciton me numra prej 35 përqindësh të popullsisë shqiptare në Maqedoni. LSDM heshtë ndaj këtyre deklaratave. Nuk dalin askund për ti komentuar dhe këtë në mënyrë direkte i miratojnë politikat antishtetërore, antikombëtare që po i imponohen Maqedonisë”, ka deklaruar Vllatko Gjorçev, deputet i VMRO DPMNE-së.
Gjorçev kërkoi që “Manifesti” i tyre të jetë pika kthyese për Maqedoninë në të cilën do të integroheshin të gjithë etnitë, por për Zaevin më me rëndësi tani është që të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe kjo do të jetë nisma për dalje nga kriza dhe funksionim të institucioneve.