Gjatë vizitës në Prishtinë, Zaev do të takojë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, dhe presidentin Hashim Thaçi.
Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë.
Këshilli i Familjareve të rastit të Kumanovës do të mirëpresin Zaevin. Ata përmes një njoftimi kanë bërë me dije se shpresojnë zbardhjen e rastit të Grupit “Kumanova”.
“Këshilli i Familjareve të rastit të Kumanovës me rastin e vizites se kryeministrit te Maqedonisë në Kosovë, Zoran Zaev, do të mirëpresin duke shpresuar kështu që ky takim ndërmjet dy liderve kryesor të këtyre dy shteteve, të jetë frytdhënës në ndërtimin e marrdhënieve të mirëfillta fqinjësore, në permiresimin e marredhënieve midis dy popujve, duke shpresuar qe keto marrëdhenie të qojnë edhe deri tek zbardhja e rasteve të montuara kundër shqiptarëve autokton në tokat e tyre”, thuhet ne njoftim.