Kur u bëra kryeministër, Maqedonia ishte e grindur me të gjitha pesë fqinjët tona, ndërsa sot tashmë nuk kemi çështje të hapura bilaterale me fqinjët, mbeti vetëm çështja e kishës, por edhe për këtë tashmë po ndërmerren hapa të caktuar, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në intervistën e mbrëmshme për televizionin rajonal TV N1, transmeton Alsat-m.
Ai, duke e sqaruar procesin e arritjes së Marrëveshjes së Prespës, ndryshimeve kushtetuese në Shkup dhe ratifikimin në Athinë, shikuesve të rajonit iu sqaroi se me Greqinë nuk është biseduar rreth çështjeve të identitetit dhe se mbetet identiteti kombëtar i maqedonasve si maqedonas të cilët flasin gjuhën maqedonase, me traditë dhe histori të tyre.
“Greqia na e pranoi të drejtën e vetëprononcimit dhe askush nuk mund që ta ndryshojë faktin, se unë jam maqedonas, i cili jeton në këtë territor”, tha Zaev, duke shtuar se “me këtë tashmë askush nuk mund të na e kontestojë të drejtën tonë se jemi maqedonas të cilët flasin në gjuhën maqedonase”.
Ai me këtë vlerësoi se “përfundimisht kemi vend të cilin askush nuk e kundërshton, për çka kanë luftuar të parët tanë”.
Zaev theksoi se ndikim dhe përgjegjësi të madhe për arritjen e marrëveshjes me Greqinë kishin para së gjitha politikanët e të dy vendeve, me mbështetje të madhe të SHBA-së dhe të vendeve nga BE-ja.
“E shihni tani pas marrëveshjeve të arritura me Bullgarinë dhe me Greqinë, në takimin e fundit ministror të BE-së, luftëtar më të mëdhenj që Maqedonia dhe Shqipëria të marrin datë të projektuar për fillimin e bisedimeve, ishin pikërisht Bullgaria dhe Greqia”, deklaroi Zaev.
Ai shtoi se rezistenca ndaj marrëveshjes së arritur është për shkaqe politike, ndërsa dëshmi për këtë është që “opozita edhe në Maqedoni edhe në Greqi reagojnë në mënyrë identike”.
“Ne në fund të shkurtit do ta fitojmë karrigen në NATO, ndërsa anëtarësim të plotë pas ratifikimit në parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Zaev.
Rreth kundërshtimeve të cilat vijnë nga Rusia për marrëveshjen e arritur me Greqinë, kryeministri i Maqedonisë vlerësoi se e gjithë kjo është për shkak të anëtarësimit në NATO.
“Perëndimi është i pranishëm në Maqedoni që nga ish Jugosllavia, me miliarda euro ndihmë, por vendimet i sjellim ne. Rusia është mike e jona, ashtu si janë miq tanë edhe SHBA-ja dhe BE-ja, por ne i sjellim vendimet tona. Rusia është kundër zgjerimit të NATO-s dhe këtu qëndron problemi. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe shpresoj se do t’i përmirësojmë këto marrëdhënie”, u shpreh Zaev.
Ai shtoi se e kupton qëndrimin e Rusisë, por mbi 80 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë për NATO-n dhe kjo duhet të respektohet.
Zaev nuk beson se Rusia do të përpiqet ta bllokojë implementimin e Marrëveshjes me Greqinë.
Porositi se me marrëveshjen e arritur, liderët e Kosovës, BeH-së dhe Serbisë do të inkurajohen t’i zgjidhin problemet e tyre, që është kusht për anëtarësim në BE dhe se do të bëhen anëtare të NATO-s, sepse nuk ka opsione tjera.
“Nëse liderët ndalojnë me bërjen e kalkulimeve për rejtingun e tyre dhe si të qëndrojnë në pushtet, atëherë vuajnë shteti dhe populli”, konstatoi Zaev.
Lidhur me çështjet e hapura të Ballkanit, Zaev u përgjigj se të gjitha shtetet janë multietnike dhe “ideali ynë është që t’i hapim kufijtë, e jo t’i ndryshojmë, t’i ndërlidhim popujt dhe të bashkëpunojmë, të kemi qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave”.
Në këtë kontekst, kryeministri i Maqedonisë e përmendi raportin mes Maqedonisë dhe Serbisë, se popujt janë vëllazëror dhe se përgatiten projekte “one stop shop” në kufirin, për të cilin ka biseduar me presidentin Aleksandar Vuçiq në Tabanoc.
Lidhur me idetë për ndryshim të territoreve në rajon, kryeministri Zaev tha se Maqedonia është shumë e ndjeshme dhe qëndrimi i saj zyrtar është se dëshiron zgjidhje pozitive mes Prishtinës dhe Beogradit, e cila do të ofrojë zgjidhje të përhershme, bashkëpunim më të mirë rajonal dhe ekonomik dhe progres drejt BE-së.
“Nuk e kanë të lehtë as Thaçi dhe as Vuçiqi, unë këtë e kam kaluar dhe i inkurajoj që të përpiqen të gjejnë zgjidhje… sepse kanë qenë tri probleme në Ballkan, ne me Greqinë, BeH-ja dhe problemi i Kosovës, ndërsa tani të gjithë reflektorët orientohen drejt dy problemeve tjera”, pohoi Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë foli edhe për rastin me arratinë e Nikolla Gruevskit, duke përmendur mes tjerash se lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickovski para arratisë së Gruevskit është takuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me ç’rast deri më tani nuk ka bërë publike çka është biseduar me ta.
“Vijon hetimi, do të bëjmë publike gjithçka pas përfundimit të saj, të gjithë luftojmë në rajon të tregojmë se jemi miq dhe se i respektojmë ligjet, nuk lejuam që miqësia me Hungarinë të prishet, por nuk është korrekte që një anëtare e NATO-s dhe BE-së të na mbajë leksion të këtillë”, tha Zaev.
Kryeministri , deklaroi se nuk pret të marrë Çmimin Nobel për paqe, duke shtuar se vetë nominimi është afirmim për Maqedoninë.