Kthimi i gjuhës serbe në shkollat e Republikës së Maqedonisë së Veriut i mohon pohimet se lidhjet me Serbinë dhe Rusinë janë ndërprerë, tha zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.
“Maqedonizmi në vetvete është një ide gjeopolitike e krijuar nga Beogradi dhe Moska. Për fat të keq, nuk jam e befasuar nga ky vendim i autoriteteve maqedonase. Kthimi i gjuhës serbe do të thotë se të gjitha partitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut pavarësisht nga dallimet e tyre politike, janë unanime në këtë çështje…, si dhe për temën e marrëdhënieve me Bullgarinë”, i tha Zaharieva për BTV.
Ky koment i Zaharievës, siç transmeton BGNES, pason pas deklaratës së kryeministrit maqedonas Zoran Zaev se mësimi i gjuhës serbe do të kthehet në shkollat fillore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.