Avokati Jordan Daci ka reaguar ashpër ndaj pengesave të vendosura për hyrjen në godinën e dytë të KAYO-s, duke theksuar se nuk kemi të bëjmë me një zonë ushtarake dhe se vendimi i gjykatës duhet të zbatohet menjëherë, pa asnjë vonesë apo pengesë të pajustifikuar.
Në një intervistë për televizionin News24, me gazetaren Nisida Tufa, Daci akuzoi autoritetet për shkelje të ligjit, mungesë transparence dhe zvarritje të qëllimshme të një procesi që, sipas tij, është i qartë ligjërisht.
“Përfaqësuesit e KAYO-s e kanë pranuar vetë: Nuk kanë pretendime për godinën”
Avokati sqaroi se përfaqësuesit ligjorë të KAYO-s, gjatë procesit gjyqësor, kanë pranuar se nuk kanë pretendime për ndërtesën në fjalë, duke e bërë edhe më të pakuptimtë rezistencën ndaj zbatimit të vendimit.
“Çdo vonesë në këtë pikë është paligjshmëri e pastër. Jemi përballë një shkeljeje të rëndë të të drejtave ligjore dhe pronësore të News24”, tha Daci.
Nisida Tufa: Pse nuk lejohemi te godina tjetër? Pse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës?
Jordan Daci: Mungesa e respektimit të ligjit, nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Në një vend tjetër disa njerëz do të ishin arrestuar në flagrancë dhe do të ishin në burg për mosveprim të veprimeve që i detyron ligji. Ndërtesa ka dyer që mund të aksesohen në territorin e kësaj kompanisë që do prodhojë raketa bërthamore…kanë zgjedhur një mënyrë jo normale komunikimi. Isha vetë atje dhe nuk fliste askush sepse nuk dinë çfarë të thonë. Kjo mund të zgjasë derisa të zgjasë paligjshmëria. Flasim për veprimet e një ushtaraku jo civili, veprimet janë të pashpjegueshme, nuk kanë të drejtë të pengojnë hyrjen tek ndërtesa që nuk u takon atyre. Përfaqësuesi i KAYO ka thënë në gjyq se nuk kemi pretendime. Çdo drejtues i KAYO duhet të kuptojë se ai që ka thënë nuk kemi pretendime, nuk ka nevojë t’i nënshtrohet gjykimit sepse s’ka pretendime.
Nisida Tufa: Zonë ushtarake është justifikimi. Si zgjidhet?
Jordan Daci: Aty ka hyrje si nga para ashtu edhe nga pas. Por policia ushtarake nuk hap asnjë portë. Teatër i shëmtuar, nuk bëhet fjalë për logjikë normale, as ligjore. E zëmë se është 100% siç thotë shteti, nuk ka pse të ndodhte, në momentin që Gjykata ka marrë vendime, çdo gjë ka marrë fund. Ajo nuk është bazë ushtarake dhe s’ka të bëjë me territor ushtarak. Aty mund të aksesohej nga pjesa mbrapa. Por duan të bëjnë çdo gjë që të mos futen gazetarët në ndërtesë. Këtu ka mungesë llogaridhënie. Kur një zyrtar i bën dëm shtetit, shteti duhet t’ia marrë këtij zyrtari dëmin që i është shkaktuar. Asnjë dëm nuk do të ikë pa u shpërblyer, gjykatat ndërkombëtare kanë mekanizma pafund për të detyruar shtetin shqiptar të paguajë.



