Zaptimi i pronës nga Tajar Lala, mister mosveprimi i Prokurorisë! Vetting: Hoteli i familjes së Erilinda Lalës pa leje ndërtimi, dyshohet se shtoi katet gjatë pandemisë! Bashkia e Himarës hap arkivën

 EMISIONI VETTING

Denoncimi i zonjës Diana Bilali si pasardhëse e ish-pronarit të tokave në Borsh, Delvinë dhe Sarandë, Mehdi Hila Borshi ka hedhur dritë mbi një fakt të pazbuluar më parë. Familja e Erilinda Lalës, bazuar në ligjin 7501 rezulton se ka përfituar rreth 2500 metra katrorë tepër në Borsh.


Këto gjetje për fryrje fiktive të sipërfaqeve janë zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga Gjykata. Por çfarë ka ndodhur?

Tajar Lalës i është dhënë 10 500 metra katrorë sipas ligjit 7501, ku toka ndahej sipas standardit 2000 metra katrorë për frymë në familje. Familja Lala rezulton me 4 anëtarë, pra i takonte 8 dynym ose 8 mijë metra katrorë në një kohë që komuna asokohe, por edhe vetë Tajar Lala ka pranuar 2.5 dynym më shumë tokë.

Sipas avokatit Redi Ramaj, këto raste janë të dyshimta. “Në përcaktim të ligjit dhe të ndryshimeve ligjore që janë bërë më vonë, të udhëzimit të Këshillit të Ministrave, nuk mundet që të jepet ose të ndahet me AMTP, pra me ligjin 7501, një tokë, e cila ka patur godina shtetërore apo është tokë truall dhe të shpërndahej nëpërmjet këtij ligji. Pra, është e ndaluar referuar parashikimeve ligjore”, tha për “Vetting” avokati Ramaj.

Shkeljet do të zbuloheshin nga vendimi i Prokurorisë të vitit 2015 për pushim çështje, ku kanë ndodhur shkeljet në mënyrën se si është ndarë dhe regjistruar toka në zonën e Ish-Shtëpisë së Pushimit të Fëmijëve. Por këto shkelje nuk janë ndjekur penalisht sepse kanë kaluar shumë vite dhe ndjekja penale është parashkruar.

Megjithatë ajo që ngelet mister është fakti se pse Prokuroria nuk mori masat, që edhe pse ishin parashkruar shkeljet, të rregulloheshin pasojat për pronën. Shkeljet kanë prodhuar pasoja për ish pronarët dhe në dëm të tyre kanë përfituar në shkelje të ligjit persona të tjerë.

Në vitin 2015, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë do të nxirrte vendimin për çështjen e sipërfaqes së tokës së marrë nga familja Lala. Procedurat tregojnë se çështja ka nisur në Gjykatën e Gjirokastrës, në dhjetor të vitit 2014, e cila fillimisht ua kishte pranuar kërkesën familjes Lala, duke argumentuar se ata nuk kishin pasur dijeni për procesin gjyqësor pasi njoftimet nuk u ishin dorëzuar në dorë.

Mirëpo, ky vendim i Gjirokastrës u kundërshtua me ankim të veçantë nga personat e tretë në proces, Prefekti i Qarkut Vlorë dhe Komuna Lukovë, të cilët kërkuan prishjen e tij dhe rrëzimin e kërkesës së familjes Lala. Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë doli në përfundimin se Gjykata e Gjirokastrës kishte gabuar në vlerësimin e fakteve dhe zbatimin e ligjit. Apeli argumentoi se njoftimi i palëve ishte kryer në përputhje me ligjin, pasi procesi i njoftimit kishte kaluar të gjitha shkallët ligjore, nga dërgimi i fletëthirrjes e deri te afishimi publik në komunë kur palët nuk u gjetën në banesë.

Në brendësi të  vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë do të theksohej se Erilinda Lala, e cila është juriste me profesion, supozohej t’i njihte mirë procedurat dhe se nuk mund të pretendonte mosdije, pasi ata kishin pasur dijeni për ekzistencën e konfliktit gjyqësor dhe kishin ndjekur seanca të mëparshme përpara se çështja të kalonte për kompetencë në Gjirokastër.

Për këto arsye, trupa gjykuese vendosi ndryshimin e plotë të vendimit të Gjirokastrës dhe rrëzimin e kërkesës për rivendosje në afat, duke u hequr përfundimisht kërkuesve Tajar, Teuta, Dervish dhe Erilinda Lala mundësinë për të ankimuar vendimin e vitit 2014.

Nga informacionet e siguruara nga ”Vetting” rezulton se Tajar Lala mund të ketë shtuar një kat tjetër gjatë pandemisë, gjë e cila ngre pikëpyetje për ligjshmërinë, jo vetëm për faktin se kemi një proces gjyqësor për pronën, por edhe për faktin se Plani i Përgjithshëm Vendor i Himarës është ndryshuar në 2023.

”Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Bashkisë Himarë për lejen e ndërtimit të  për hotelin dhe restorantin Take. Mbas ankesës te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Bashkia Himarë do të zbulonte detaje të rënda mbi këto godina.

Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit pranë Bashkia Himarë ka kryer verifikime në dokumentacionin e administruar në arkivin institucional lidhur me subjektin e referuar. Nga verifikimi i kryer deri në këtë fazë, nuk rezulton e regjistruar leje ndërtimi në dokumentacionin e administruar nga Bashkia Himarë për objektet e referuara”, do të shkruante në përgjigjen zyrtare Bashkia.

Sipas këtij informacioni, mungesa e një lejeje ndërtimi për hotelin Take në arkivën e Bashkisë Himarë, jo vetëm që e vendos objektin në kushtet e paligjshmërisë, por ngre dyshime serioze mbi dështimin e qëllimshëm të institucioneve të tjera.

erilinda lala bashki himare

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme