Ndërmjetësi i OKB Matthew Nimetz mendohet se ka paraqitur 5 propozime në Nju Jork për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, gjë që kërkohet nga Greqia.
Sipas shtypit grek, emërtimet e reja janë të gjitha në gjuhën sllave.
Republika Nova Makedonija – Republika e Maqedonisë së Re
Republika Severna Makedonija – Republika e Maqedonisë Veriore
Republika Gorna Makedonija – Maqedonia e Sipërme
Republika Vardarska Makedonija – Republika e Maqedonisë së Vardarit
Republika Makedonija (Shkup) – Republika e Maqedonisë (Shkup)
Këto janë 5 emrat e propozuar nga negociatat mes dy palëve, greke dhe maqedonase. Të gjitha këto propozime kanë emërtimin Maqedoni, gjë që është kundërshtuar nga aleatët në qeveri të Kryeministrit grek Alexis Tsipras.
Në diskutime u përfshi gjithashtu edhe termi që do të përdoret për shtetësinë e qytetarëve të Maqedonisë, nëse do të përdoret emërtimi sllav “makedonska” apo “shtetësia e Republikës së Maqedonisë së Re”.
I dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB që është angazhuar për këtë çështje, Nimetz ka thënë se përdorimi i termave duhet të jetë i njëjtë dhe do të zbatohet si për organizatat ndërkombëtare ashtu edhe për marrëdhëniet dy palëshe të Maqedonisë. Nuk ishte e qartë nëse Nimetz ka propozuar ndryshim të emrit kushtetues, por shtypi grek shkruan se nuk përjashtohet as mundësia që në Maqedoni të mbahet një referendum për miratimin e emërtimit të ri që do të përzgjidhet./tvklan