Një ditë pas takimit kokë më kokë që kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa zhvilloi me homologen e tij nga Serbia, Ana Bërnabiqin, zbardhen detaje të bisedës së shkurtër.
Ka qenë Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Mustafa, ai që ka treguar për Koha.net se çfarë u diskutua në atë takim.
“Sa kam marrë vesh nga kryeministri, është biseduar për temat e bashkëpunimit rajonal, për implementimin e marrëveshjeve të Triestes dhe çështjet e mbetura të Traktatit të Komunitetit të Transportit”, ka thënë Havolli për Koha.net. “Komunikimi me të gjithë kryeministrat ka qenë i relaksuar dhe pozitiv”, ka thënë Havolli më tej.
Mustafa ka takuar në mesin e kryeministrave të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe homologen e tij nga Serbia, Ana Bërnabiq, në kuadër të takimit joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur dje në Durrës.
Bërnabiq, që zëvendësoi Aleksandar Vuçiqin në krye të ekzekutivit, i cili la këtë post për t’u bërë president i vendit, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ky ishte takimi i parë i kryeministres së Serbisë me kryeministrin e Kosovës.