Zbardhen detajet nga vdekja e 31-vjeçares nga Kosova në Shkëmbin e Kavajës

Policia shqiptare ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e 31-vjeçares nga Kosova, e cila u gjet e pajetë në një dhomë hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku kishte qëndruar prej disa muajsh, përcjell INA.

Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e një aksidenti në banjo. Viktima është gjetur pranë kabinës së dushit, ndërsa dyshohet se mund të ketë rrëshqitur gjatë përdorimit dhe të ketë pësuar një goditje fatale.

Nga këqyrja e parë mjeko-ligjore nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të jashtme në trupin e saj. Po ashtu, dyshohet se vdekja mund të ketë ndodhur dy deri në tre ditë para se të zbulohej rasti.

Ngjarja është konstatuar pasi familjarët kanë humbur kontaktet me të renë dhe kanë njoftuar hotelin. Punonjësit më pas kanë hapur dhomën me çelës rezervë dhe kanë gjetur trupin e pajetë, duke lajmëruar menjëherë policinë.

E reja kishte qëndruar në këtë hotel që prej dhjetorit 2025 dhe, sipas dëshmive, frekuentonte shpesh zonën, duke qëndruar për periudha të ndryshme kohe.

Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedim penal ndaj dy administratorëve të hotelit, për moslëshim të kuponit tatimor gjatë periudhës së qëndrimit të saj.

Trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë marrë mostra biologjike për analiza të mëtejshme, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Hetimet vijojnë, ndërsa priten rezultatet përfundimtare të autopsisë që do të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të ngjarjes.(INA)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme