Deputeti i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në një bisedë për Gazeta Blic ka zbuluar skenarin që ka ndodhur sot, para se në Kuvend të hidhej për votim projektligji për buxhetin e vitit 2018-të.
Sherifi tha për Gazeta Blic se para seancës, shkaku i mungesës së disa deputetëve pozita ka qenë e vetëdijshme se do të dështojë ky votim, mirëpo ai së bashku me deputetin e AAK-së, Blerim Kuqin morën premtim nga disa deputetë të LDK-së, të cilët nuk i ka përmendur me emra se këta të fundit edhe pse do të votojnë kundër do të qëndrojnë në sallë sa për kuorum.
”Ne nuk i kishim deputetët tanë brenda krejt, mazhoranca, edhe tash nuk e ditshim a me lanë me votu nesër a sot, ishim në bisedë me Blerim Kuqin dhe disa deputetë të LDK-së, ata than deputetët e LDK-së po e votojmë sot, ne rrimë në sallë, votojmë kundër po e bëjmë kuorumin”, tregoi Sherifi.
Deputeti i Nismës, kishte paralajmëruar kolegun e pozitës, deputetin Kuqi se ky mund të jetë një mashtrim i mundshëm i LDK-së, pasi që ata veçse ishin deklaruar publikisht se nuk do të votojnë për këtë buxhet, mirëpo ky i fundit tha se ishte i sigurt që ata do të qëndrojnë në sallë.
”Unë i thash Blerimit mos hynë në marrëveshje me ta se na mashtrojnë, po duan me na shti në votë për me tregu që si kemi votat, mos i beso i thashë atyre, jo jo tha se kanë me nejt, kanë me votu kundër me rëndësi na e bëjnë kuorumin”, shtoi ai.
Mirëpo, sipas tij e kundërta e asaj që ishte biseduar në bufenë e kuvendit, ndodhi kur deputetët hynë në sallë dhe kur u hodh për votim projektligji për buxhetin e vitit 2018-të.
”Kur hymë në sallë ata nuk murën pjesë në votim hiq, unë i thash Blerimit sqaroja publikut se pse dështoi votimi, atij i erdhi keq edhe e mora unë fjalën, thash votimi dështoj se snaj ka borxh opozita me naj bo votat, e dinë që duhet me i pas votat tona, nuk e kanë problem kta , ama kur të premtoni, kur të mirreni vesh që do ta votoni, nuk është mirë me tradhëtu”, përfundoi Sherifi.
Ndryshe, në seancën e sotme, Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 nuk kaloi në shqyrtimin e parë.
Ndonëse brenda sallës së Kuvendin e Kosovës ndodheshin 88 deputetë, vetëm 60 prej tyre shfrytëzuan të drejtën për të votuar në shqyrtimi e parë Projektligjin për Buxhet.
Më 58 vota për një kundër dhe një abstenim, Projektligji për Buxhet dështoi të miratohet.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim, duke e kundërshtuar këtë Projektligj.
Ndërkohë krye parlamentari Kadri Veseli, paralajmëroi se do të hedh sërish në votim gjatë kësaj seance këtë Projektligj, i cili u përkrah vetëm nga deputetët e pozitës. /Gazeta Blic/